KQZ e angazhuar për aplikimin e numërimit elektronik në dy projekte pilot
Risia në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Numërimi elektronik dhe identifikimi i zgjedhësve, dy projekte të teknologjisë që parashikohet të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qarqet Fier dhe Tiranë, duhet të jenë gati brenda prillit 2013. Sipas administratës së KQZ-së, projekti pilot që parashikohet të zbatohet në Fier dhe që ka të bëjë me numërimin elektronik, kap një vlerë prej rreth 1.5 milionë euro. Ndërkohë, që projekti tjetër, ai i identifikimit elektronik të zgjedhësve, që parashikohet të aplikohet në Tiranë, kap një vlerë prej rreth 3 milionë euro. Kostoja e projektit të dytë është gati sa dyfishi i projektit të parë, dhe kjo pasi ai kërkon një aparaturë të veçantë për çdo qendër votimi. Nisur nga fakti që në Tiranë ka rreth 1200 qendra votimi, kërkohen po kaq aparatura elektronike të verifikimit të kartave dhe pasaportave.
Sipas KQZ-së, numërimi elektronik në Qarkun e Fierit duhet të jetë gati më 23 mars, ndërsa identifikimi elektronik i kartave duhet të jetë gati më 23 prill. Nisur nga ky fakt dhe duke marrë në konsideratë afatet përfundimtare që kodi zgjedhor përcakton për testimin e teknologjive zgjedhore, KQZ ka vendosur që mënyrat e tenderimit për dy projektet e mësipërme të bëhet me negocim pa shpallje.
Të mërkurën e ardhshme KQZ do të miratojnë dhe buxhetin për dy projektet për t’i hapur rrugë fillimit të procedurave të tenderimit. Për realizimin e dy projekteve duhet të blihen 1200 aparatura të posaçme për 1200 qendra votimi në Tiranë, ndërsa parashikohet të blihen dhe 21 pajisje të posaçme për 7 qendrat e numërimit në Fier.
...