Potencialet ekonomike të Shqipërisë në fokus të investitorëve kinezë

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve të huaj, falë potencialeve ekonomike të pashfrytëzuara dhe klimës lehtësuese për zhvillimin e biznesit. Kështu, në një shkrim të publikuar dje në gazetën “South China Morning Post”, kolumnisti Richard Ëarren, thekson se Shqipëria dhe potencialet e saj ekonomike janë në fokus të investitorëve kinezë. “Shqipëria ishte i vetmi aleat evropian i Kinës në vitet ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70- të. Shteti i vogël ballkanik, me popullsi 3 milionë banorë, po shfaqet përsëri nëpër radarët ekonomikë dhe politikë kinezë, ndërkohë që biznesi i ndërtimit shpreson se diçka e tillë do t’i prijë një hovi të investimeve kineze në këtë sektor”. Në këtë drejtim, sipas tij, shumë zëra e konsiderojnë Shqipërinë si një pikë shpërndarjeje për tregtinë e kompanive kineze, duke u dhënë atyre mundësinë të vendosin një këmbë në Bashkimin Evropian, në rast se aplikimi i vendit për t’u përfshirë në këtë grupim arrin me sukses. “Interesi zyrtar kinez në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme po rritet. Verën që shkoi, ambasadori kinez në Shqipëri vizitoi Gjirin e Lalzit, ku shoqëria “Strabag” e specializuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme po ndërton më shumë se 800 shtëpi pushimi”, - vazhdon analisti. Ky interes nga ana e zyrtarëve pak nga pak po orientohet nga investimet private.
Duke u ndalur te lehtësirat e ofruara nga autoritetet shqiptare në zhvillimin e biznesit në Shqipëri, artikulli i “South China Morning Post”, thekson se tregu shqiptar, bëhet edhe më interesant për investitorët kinezë në çastin që shteti shqiptar i propozon nënshtetësinë çdo qytetari të huaj që investon në vend 100 mijë euro. “Me mjaft interes për disa investitorë kinezë është propozimi i qeverisë shqiptare për dhënien e nënshtetësisë për ata qytetarë të huaj që investojnë të paktën 100 mijë euro në vend” - shkruan Richard Warren. Blerja e një shtëpie, sipas tij, do të ishte një mënyrë shumë e thjeshtë për ta fituar nënshtetësinë, kështu që ndërtuesit ndihen mjaft të joshur nga kjo ide.
...