Ambasadori Arvizu: Referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do destabilizonte Ballkanin
Ambasadori amerikan: “Nuk i shërben aspiratave të integrimit, SHBA nuk mbështet ndryshimin e kufijve në rajon”
“Referendumi për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të destabilizonte rajonin e Ballkanit”. Kështu u shpreh dje ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu gjatë fjalës së tij në konferencën e 15 të këshillit të Atlantikut të Veriut. “Thirrja e fundit nga Aleanca Kuq e Zi për referendum për bashkim kombëtar Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit atlantik të vendit si dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen në rajon. SHBA nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë të rajonit. Çdo përpjekje për ta bërë këtë është kundër produktive dhe destabilizuese. Partitë politike dhe drejtuesit duhet të përqendrohen në atë që ata thonë se është e rëndësishme, integrimi euroatlantik. Fjala për një Shqipëri të madhe të rreme është një shpërqendrim nga problemet shume reale nga të cilat përballet Shqipëria sot dhe votuesit nuk duhet të bien pre e kësaj”, u shpreh ambasadori amerikan. Arvizu ishte i qartë edhe në apelin e tij ndaj përfaqësuesve politikë në vendin tonë, që të kenë kujdes në deklaratat e tyre me frymë nacionaliste. “Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike, nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, nëse mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë”, theksoi Arvizu.
Ndërkaq, ambasadori amerikan vuri theksin edhe te rritja e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Sipas tij, projekte të tilla si gazsjellësi TAP, Korridori VIII dhe rrjetet hekurudhore çojnë drejt një integrimi të plotë. “Rritja e bashkëpunimit ekonomik mund të udhëheqë drejt përmirësimit të sigurisë. Propozime të tilla si Gazsjellësi Trans-Adriatik, njohur ndryshe si TAP, sikurse dhe rrugë e rrjete hekurudhore të përmirësuara, të tillë si Korridori 8, lidhin më mirë popujt dhe ekonomitë e rajonit, duke çuar drejt një integrimi më të plotë”, tha ai. Megjithatë, theksoi Arvizu, “trajektorja e përgjithshme pozitive e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal nuk është diçka që mund të merret për e mirëqenë”. Nga ana tjetër, zëvendësministri i Mbrojtjes, Arjan Starova sqaroi se ringjallja e identitetit kombëtar shqiptar nuk duhet kuptuar si shfaqje e nacionalizimit. Gjithashtu, zëvendësministri Starova garantoi se vendi ynë do të vijojë të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.