KQZ, fushëbeteja finale e Berishës dhe Alibeajt për zgjedhjet vendore të 14 majit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duket se do të jetë fushëbeteja midis Berishës dhe Alibeajt, se kush do të përfaqësojë zyrtarisht PD dhe kandidatët për kryetarë bashkishë dhe këshillash bashkiakë, në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, i cili ka bërë nul vendimin e gjyqtarit Zhukri për të njohur zyrtarisht Sali Berishën për kryetar të PD-së, përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike në KQZ, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri, kanë depozituar të dielën në mbrëmje dokumentacionin për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor në zgjedhjet lokale të datës 14.05.2023 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Shkresa është firmosur nga Sali Berisha, i cili pretendon se është kryetari i PD-së. Ajo që bie në sy është fakti se në kërkesën e Berishës emri Partia Demokratike përmban dy shenja nistore PD/PDSH. Ky formulim tenton të mbyllë çdo hapësirë regjistrimi për subjekte të tjera politike të përafërta me këto shenja nistore.
Por, nga ana tjetër, edhe PD e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, do të dërgojë dokumentacionin për t’u regjistruar në KQZ, duke sjellë si argument ligjor vendimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Zyrtarë pranë Alibeajt bën të ditur për rtsh.al se dokumentacioni për regjistrimin si subjekt politik për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, do të bëhet me datë 6 mars, që është edhe kufiri i fundit ligjor për regjistrimin e partive politike në zgjedhje.
Nisur nga kjo situatë, me dy vendime gjykate në duar, bëhet e qartë se palët do të pretendojnë t’i zgjidhin problemet e tyre për çështjen e regjistrimit në KQZ.
Por a kanë plan “B” palët në PD të përfshira në këtë betejë?
Duke gjykuar nga vendimi i Këshillit Kombëtar të “Rithemelimit” të PD, për të dalë në koalicion në zgjedhje, duket se Berisha dhe kandidatët e tij janë përgatitur edhe për skenarin që KQZ të njoh zyrtarisht Alibeajn si përfaqësues ligjor.
Ndërsa nga ana e Alibeajt nuk është bërë publik asnjë skenar për koalicion, pasi, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ai pretendon se është përfaqësuesi ligjor i PD-së.
Gjithësesi, do të jetë KQZ, institucioni që duket se do të japë vendimin final se kush do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet vendore të 14 majit, mbështetur në vendimet e gjykatave, ku secila palë pretendon se ka fituar.
/rtsh.al/ a.meta/