Vula e PD-së/ Berisha: Rama përdori gjykatën kundër meje, 3 ditë para mbylljes së regjistrimeve në KQZ

Sali Berisha, i cili drejton grupin politik të Rithemelimit gjatë një mbledhje me deputetë të Partisë Demokratike ka deklaruar se kryeministri Rama po përdor opozitën duke e marrë peng atë.
Sipas Berishës, Rama veproi përmes gjykatës së Apelit tre ditë para mbylljes së regjistrimeve të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Me këtë proces politik, Edi Rama hoqi çdo maskë, ai është i tmerruar nga PD-ja dhe forca e saj. Ai mund të bashkëjetojë vetëm me një fasadë opozitë, një fasadë opozitë e cila i nënshtrohet, pranon të poshtërohet, një fasadë opozitës të cilës i ka marrë peng kryetarin, të cilës i jep urdhra, me të cilën mashtron publikun shqiptar.
Asnjë opozitë tjetër, ai nuk mund të tolerojë asnjë opozitë të vërtetë. Edhe njëherë, vendimi tre ditë para mbylljes së regjistrimeve është dëshmia më flagrante e frikës së tmerrshme që e ka kapur atë nga PD-ja”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, vendimi i gjykatës së Apelit ishte paralajmëruar nga vetë Balla dhe Olta Xhaçka. Ndërsa shtoi se gjykata ua dha vulën shërbëtorëve të kryeministrit Rama.
“Ne pra jemi para një situate të cilën e kemi parashikuar, se ky është një vendim i paralajmëruar, nga vetë Taulant Balla në parlamentin shqiptar, i paralajmëruar nga Olta Xhaçka e cila i tha ambasadorit të një miku të Edvinit, një javë para që gjykata ka vendosur që vulën të ua japë vasalë, veglave apo shërbetorëve të Edvinit, të ua heq anëtarësisë, të ja heqë PD-së dhe të ja japë Edvinit.
Edi Rama një vit e gjysmë më parë, i dha Lulzim Bashës, bravën dhe brava i ngeli në derë të shtëpisë së tij, përsëri vula do të ngelet në turpin më të madh të tij, sepse vula është e anëtarëve të PD-së”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/