E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ i kundërpërgjigjet opozitës: Zgjedhjet pa manipulime

“Gjatë procesit ankimor të zgjedhjeve të kaluara, KQZ hapi dhe numëroi në ambientet e saj kutitë që i përkisnin qendrës së votimit numër 211 në qarkun e Shkodrës. I pranishëm në këtë numërim ishte dhe z. Ndoka, i cili pa me sytë e tij rregullsinë e procesit dhe faktin se Partia Demokristiane kishte marrë vetëm 3 vota”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagon pas akuzave të opozitarëve për manipulimin e zgjedhjeve. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Arti Lushi, deklarata të tilla janë shpifje të ulëta. Ai siguroi se institucioni që menaxhon procesin zgjedhor, do të vijojë punën e tij në bazë të standardeve të kërkuara zgjedhore të cilat në raportin e OSBE/ODIHR-it vlerësohen në nivelin më të lartë në krahasim me të gjitha raportet e tjera. Për të faktuar pabazueshmërinë e akuzave të kreut të PDK-së, Nard Ndoka, pas shpalljes së rezultatit të prokurorisë Shkodër, KQZ kujton se gjatë procesit ankimor ky institucion hapi dhe numëroi në ambientet e saj kutitë që i përkisnin qendrës së votimit numër 211 në qarkun e Shkodrës duke verifikuar rregullsinë e procesit.

Reagimi

Akuzat e ashpra të kreut të demokristianëve, Nard Ndoka, sollën dje edhe reagimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas shpalljes së rezultatit të prokurorisë së Shkodrës lidhur me akuzat për manipulim të zgjedhjeve në këtë rreth, kreu i PDK-së akuzoi KQZ-në se në bashkëpunim me prokurorinë ka manipuluar procesin hetimor. “KQZ bën me dije për publikun dhe në veçanti për zgjedhësit shqiptarë se jo vetëm nuk ndikohet nga deklarata të tilla të çekuilibruara që përbëjnë shpifje, por garanton se do të vazhdojë në rrugën e plotësimit maksimal të standardeve të kërkuara zgjedhore, standarde të cilat sipas raportit të OSBE/ODIHR-it i ngriti në nivelet më të larta në raport me të gjitha zgjedhjet e tjerra të mëparshme”, - pohoi zëdhënësi Lushi. Ai sqaroi më tej gjatë procesit ankimor të zgjedhjeve të kaluara, KQZ e hapi dhe numëroi në ambientet e aj kutitë që i përkisnin qendrës së votimit numër 211 në qarkun e Shkodrës. “I pranishëm në këtë numërim ishte dhe z. Ndoka, i cili pa me sytë e tij rregullsinë e procesit dhe faktin se Partia Demokristiane kishte marrë vetëm 3 vota”, - pohoi Lushi, ndërsa shtoi se e njëjta situatë paraqitet edhe në kutitë e rinumëruara nga hetimi i prokurorisë ku partia e zotërisë në fjalë ka afërsisht të njëjtin numër votash që, për fat të keq, nuk e kalojnë shifrën 4.

“Gjejmë rastin që në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme t’u kërkojmë të gjithë aktorëve dhe faktorëve të procesit zgjedhor të jenë bashkëpunues me KQZ-në të ndershëm dhe transparent ashtu si edhe KQZ garanton se do të jetë merr qëllim plotësimin tërësor të standardeve të kërkuara zgjedhore”, - përfundoi ai.

Listat paraprake, KQZ, gjoba tre kryekomunarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobit tre kryetarë komunash që nuk u janë përgjigjur detyrimeve ligjore për të dorëzuar listën paraprake të zgjedhësve si dhe dorëzimin e hartës për njësitë përkatëse. Pavarësisht nga paralajmërimet e vazhdueshme të saj edhe dje kryetari i komunës Bytyç në rrethin e Tropojës, Feriz Hoxha, kryetari i komunës Brataj në rrethin e Vlorës, Pilo Toto, dhe kryetari i komunës Livadhja në rrethin e Sarandës, Irodhi Dalani, nuk kanë dorëzuar në KQZ informacionin e kërkuar. “Në një situatë të tillë, KQZ, duke vlerësuar rëndësinë që ka çdo detaj i procesit të organizimit të zgjedhjeve, por njëkohësisht edhe zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe parandalimi për të ardhmen i këtyre fenomeneve, shqyrtoi shkeljet e evidentuara nga këto njësi të qeverisjes vendore dhe vendosi të dënojë administrativisht me gjobë 40 000 lekësh këta kryetarë të njësive vendore”, - deklaroi zëdhënësi Arti Lushi. Në kuadrin e organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sheh si domosdoshmëri, nxit dhe mirëpret bashkëpunimin e të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësinë për t’ju përgjigjur detyrimeve që përcakton Kodi Zgjedhor. “Në realizimin e këtij qëllimi KQZ nuk do të tolerojë asnjë subjekt që të pengojë ngritjen e infrastrukturës zgjedhore dhe përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore sipas standardeve të kërkuara. Shkelje të tilla që cenojnë ligjin dhe sjellin pasoja në organizimin e zgjedhjeve do të kallëzohen edhe si vepra penale në prokurori”, - paralajmëroi zëdhënësi i KQZ-së. Në kudër të përgatitjeve të procesit të ardhshëm zgjedhor KQZ nënshkroi një marrëveshje me studentët për trajnimin e tyre si dhe miratoi projektvendimin për pagat e inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve në zyrat rajonale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›