E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat, Topi: U gatuan nga qarqet ultranacionaliste

Presidenti Bamir Topi dënoi dje ashpër qëndrimin e raportuesit të KiE-së, Dick Marty, paraqitur në formën e një raporti ku akuzon Kryeministrin kosovar Hashim Thaçi për trafiqe të paligjshme

Presidenti Bamir Topi dënoi dje ashpër qëndrimin e raportuesit të KiE-së, Dick Marty, paraqitur në formën e një raporti ku akuzon Kryeministrin kosovar Hashim Thaçi për trafiqe të paligjshme. Përmes zëdhënëses së tij, Mimoza Koçiu, kreu i shtetit i cilësoi akuzat ndaj Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si të pabaza dhe që tingëllojnë të jenë të gatuara në kuzhinën e dalë mode të qarqeve të caktuara ultranacionaliste. Ai fton institucionet shqiptare të bashkëpunojnë sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dënoi dje ashpër qëndrimin e raportuesit të KiE-së, Dick Marty, paraqitur në formën e një raporti mbi bazën e të cilit, Komisioni i Çështjeve Ligjore të Asamblesë Parlamentare të KiE-së përpiloi një projekt rezolutë të miratuar një ditë më parë. Përmes zëdhënëses së tij, Mimoza Koçiu, kreu i shtetit i cilësoi akuzat ndaj Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si të pabaza dhe që tingëllojnë të jenë të gatuara në kuzhinën e dalë mode të qarqeve të caktuara ultranacionaliste. Për Presidentin Topi akuzat kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë. Duke e konsideruar "një çështje shumë të ndjeshme, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por edhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të rajonit dhe mirëqenien e popujve tanë", - Presidenti ka shqyrtuar në mënyrë të hollësishme projekt-rezolutën e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përpara se të shprehë publikisht qëndrimin zyrtar. 

Në raport, Dick Marty akuzon liderët kosovarë, përfshirë këtu edhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për trafik organesh njerëzore dhe krime të tjera në përfundim të konfliktit në Kosovë. 
"Duke pasur parasysh këtë projekt-rezolutë, që erdhi si rezultat i raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dick Marty, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete dhe pandehmat e endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalë mode të qarqeve të caktuara ultranacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan - në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të gjenocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës", - thuhet në qëndrimin zyrtar të Presidentit e cila u lexua nga zëdhënësja e Presidentit.
"Këto akuza fantazmagorike, - thuhet më tej ne deklaratë, - shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar, identitetin e tij, si dhe shtetin e ri shumetnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Nga ana tjetër, akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë".
Presidenti nënvizon më tej se institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në projekt-rezolutën e përpiluar nga Dick Marty, i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës. Ai fton institucionet shqiptare të bashkëpunojnë sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë.
"Duhet patjetër që e vërteta e kulluar të dalë e tëra në dritë, ashtu siç ka ndodhur në Kosovën e martirizuar, ku shqiptarët e Kosovës kanë ditur të falin, por jo të harrojnë”, - përfundoi z. Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›