E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja: Çdo votë që do të fotografohet me celular do të shpallet e pavlefshme

Ristani: “Kemi udhëzuar komisionerët që të jenë të vëmendshëm ndaj këtij fenomeni”. KQZ-ja merr masa për parandalimin e presioneve që u janë bërë punonjësve të administratës

Shaban Sulçe

Fenomeni i presionit të pushtetarëve ndaj punonjësve të administratës për të fotografuar votën e tyre është kthyer në një shqetësim serioz jo vetëm për opozitën, por edhe për institucionin kryesor të menaxhimit të procesit zgjedhor, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nisur nga shqetësimet e ngritura nga opozita dhe nga mjaft raste të denoncuara nga shumë punonjës të administratës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të shpallë si të pavlefshme çdo votë që do të fotografohet me celular nga votuesi. Një gjë e tillë është deklaruar nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili tha: “Kemi udhëzuar të gjithë komisionerët që të jenë të vëmendshëm gjatë procesit të votimit. Për fat të mirë, vendi i votimit ka hapësirë të mjaftueshme për të dalluar votuesin në rast se ai do të fotografojë votën, pra se për kë parti ka votuar. Në momentin që ndodh kjo votuesi nuk do të ketë mundësi që ta fusë votën në kutinë e votimit, pasi fleta e votimit do të shpallet menjëherë e pavlefshme”, - ka thënë Ristani.

Fenomeni
Punonjës të shumtë të administratës kanë denoncuar nën zë presionet e drejtorëve dhe shefave të tyre në drejtim të mënyrës se si do të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas këtyre dëshmive, punonjësit janë kërcënuar me largim nga puna në rast se nuk do të votojnë për Partinë Demokratike. Për t’u siguruar se vota e tyre do të jetë për PD-në, pushtetarët dhe eprorët në administratë u kanë kërkuar këtyre punonjësve që të fotografojnë me celular votën në momentin e votimit. Të gjendur përballë kësaj forme të sofistikuar presioni, shumë punonjës të administratës do të detyrohen që të votojnë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që fenomeni i fotografimit të votës do të rezultonte shumë i dëmshëm për standardet e zgjedhjeve.
Por duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka menduar marrjen e masave për parandalimin e këtij fenomeni. Tashmë të gjithë komisionerët janë udhëzuar që të jenë të vëmendshëm për të konstatuar çdo tentativë të votuesve për të fotografuar votën. Nëse do të ndodhë kjo, procesi do të ndërpritet menjëherë, votuesi nuk do të ketë të drejtë ta hedhë në kuti fletën e votimit, e cila do të shpallet menjëherë e pavlefshme.

Rama

Ka qenë vetë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ai që ka denoncuar gjatë javës së kaluar fenomenin e presioneve të pushtetarëve ndaj punonjësve të administratës për të fotografuar votën e tyre. Rama tha se një fenomen i tillë është i papranueshëm për standardet e zgjedhjeve. Ai theksoi se Partia Socialiste po mbledh dhe po dokumenton të gjitha dëshmitë e punonjësve të administratës për kërcënimet që po u bëhen dhe paralajmëroi drejtuesit se do të përballen me forcën e ligjit. “Për çfarë mund të flasim ne sot në vitin 2009 nëse nuk çlirohemi njëherë e mirë nga kjo lloj politike e vjetër e së shkuarës, e cila është politika e politikanëve që krenohet për standardet demokratike dhe pastaj kërcënojnë mësues, kërcënojnë mjekë, kërcënojnë nëpunës, duke e vënë shtetin në gjunjë për interesat e një grushti njerëzish, e një oborri të korruptuarish, e një familjeje që ka marrë peng qeverinë e vendit tonë, e një kryeministri që e do me çdo kusht mandatin për të vazhduar të bëjë biznes me qeverinë për familjen e tij?” - ka theksuar në një nga takimet elektorale kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›