Gracen, dhunohet zyra elektorale e PS-së
Sërish incident në një prej zyrave elektorale të Partisë Socialiste. Gjatë ditës së djeshme është dhunuar një prej zyrave elektorale të kësaj partie në Elbasan. Persona të paidentifikuar kanë thyer xhamat e zyrës, kanë hequr simbolet elektorale dhe kanë dëmtuar derën. Zyra, e cila mbulon Zonën 14 në komunën Gracen, ndodhet pranë rrugës nacionale “Tiranë-Elbasan”, në kilometrin 25. Menjëherë ka reaguar dega lokale e Partisë Socialiste në Elbasan, e cila ka akuzuar militantët e Partisë Demokratike si autorë të këtij dhunimi, ndërsa policia pritet të nisë hetimet. Ky nuk është rasti i parë i incidenteve ndaj zyrave të Partisë Socialiste. Më parë është dhunuar zyra e kësaj partie në rrugën “Don Bosko” në kryeqytet, ajo në Shijak dhe më pas në Korçë.
KQZ-ja miraton raportin e Bordit të Monitorimit të Medias
Katër ditë para zgjedhjeve, Bordi i Monitorimit të Mediave ka prezantuar para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve raportin e katërt të monitorimit të kohës radiotelevizive gjatë fushatës elektorale në operatorët publikë dhe privatë në vend. Për herë të parë që nga ngritja e këtij bordi, raporti është paraqitur në KQZ i firmosur nga të shtatë anëtarët e tij, të cilët, në mungesë të vendosjes së standardit nga KQZ-ja, kanë gjetur si zgjidhje konsensusin brenda tyre. KQZ-ja me unanimitet të plotë ka vendosur balancimin e kohës televizive në media të ndryshme për dy partitë më të mëdha në vend, PD-së dhe PS-së. Sipas raportit, operatorë të ndryshëm televizivë kanë shfaqur tendenca të kompensimit të kohës televizive për partitë e mëdha, por partitë që kanë deri në 20 për qind të vendeve në Parlament nuk po marrin kohën e përcaktuar me ligj.
25 Qershor 2009