PS: Kushdo që do të tentojë manipulimin e votave, do të dështojë dhe do të përgjigjet para ligjit
Partia Socialiste ka përshëndetur deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, i cili është shprehur për rëndësinë historike që ka zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, gjatë një konference për shtyp, deklaroi dje se çdo person apo parti që do të tentojë të manipulojë votat, jo vetëm që do të dështojë, por edhe do të përgjigjet para ligjit. Nikolla tha se askush nuk mundet t’u bëjë presion votuesve shqiptarë, të cilët, më 28 qershor, do t’u drejtohen kutive të votimit si qytetarë të lirë të këtij vendi. Anëtarja e Kryesisë së PS-së u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe çdo votuesi që të tregojnë se Shqipëria është gati për në Bashkimin Europian, pikërisht duke zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Rëndësia e zgjedhjeve të 28 qershorit është aq e madhe, sa askush, asnjë subjekt politik e asnjë individ nuk do të lejohet të ushtrojë presion mbi votuesit apo të manipulojë rezultatin. Partia Socialiste dëshiron t’u kujtojë të gjithë votuesve shqiptarë se askush nuk mund të ushtrojë presion mbi ju për të votuar për një parti të caktuar dhe askush nuk mund t’ju kërkojë prova për votën dhe zgjedhjen tuaj. Akte të tilla janë të jashtëligjshme, duhet të raportohen dhe do të raportohen. Për të gjithë ata që do të tentojnë të ushtrojnë presion mbi votuesit, mesazhi ynë është shumë i qartë: Do të dështoni dhe më 29 qershor do të përballeni me ligjin. Partia Socialiste është plotësisht e përgatitur për të ruajtur çdo votë. Ne po vëzhgojmë më shumë kujdes dhe mbarë bota ka drejtuar sytë nga ne. Ne i bëjmë thirrje çdo partie politike dhe çdo votuesi të tregojë se Shqipëria është gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian”, - tha anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla.
25 Qershor 2009