KQZ-ja e njeh fitoren e Mustafës

Vetëm 14 fletëvotime kanë rezultuar të parregullta pas rinumërimit të votave të balotazhit për kryetar të Gjilanit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në një mbledhje që e mbajti sot pasdite, e miratoi raportin e Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR), i cili e nxjerr fitues kandidatin e PDK-së, Qemajl Mustafa.
“KQZ-ja e miratoi komplet raportin e hetimit dhe të rinumërimit të QNR-së, me 8 vota për, kurse 3 anëtarë ishin kundër”, konfirmoi për gazetarët, Burim Ahmetaj, koordinator i QNR-së.
Ahmetaj saktësoi se nga rinumërimi dhe hetimi i të gjitha votave të rregullta për komunën e Gjilanit, janë gjetur vetëm 14 fletëvotime të parregullta.
KQZ-ja, po ashtu mori vendim që sonte nga ora 19, të nisë hetimi dhe rinumërimi i votave me kusht. Janë gjithsej 426 vota të këtilla, të cilat nuk mund ta ndryshojnë fituesin në Gjilan.
Sidoqoftë, KQZ-ja do të presë numërimin e këtyre votave për të konfirmuar zyrtarisht fitoren e Mustafës.
Përfaqësuesi i LDK-së në KQZ ka qenë kundër miratimit të raportit. Pas takimit, Florian Dushi, shprehu pakënaqësinë me gjetjet e QNR-së dhe përsëriti kërkesën që edhe Gjilani, ngjashëm sikurse Prizreni e Lipjani, të shkojë në rivotim.
Dushi tha se hetimi ka qenë i paligjshëm dhe se ai nuk do ta njohë.
Ndërkohë, Nesrin Lushta, kryetar e KQZ-së, e cila të shumtën e herave abstenon, sot votoi në favor të miratimit të raportit të QNR-së.
Vëzhguesit ndërkombëtarë gjithashtu konsiderojnë se nuk ka pasur parregullsi. Chedomir Flego, përfaqësues i IFES-it, tha për gazetarët se nga rinumërimi dhe hetimi i votave në QNR, del se nuk ka bazë dhe nuk ka parregullsi që do të mjaftonin që të merrej një vendim që Gjilani të shkonte në rinumërim.