E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terral: Pavarësia legale

Ambasadori i Francës në Beograd, Jean-Francois Terral, ka deklaruar se dyshon që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të sjellë vendim që pavarësia e Kosovës ka qenë joligjore.

Terral thotë se Serbia dhe Kosova do të duhet të arrijnë marrëveshje për marrëdhënie të ndërsjella, të cilat nuk do të rrezikonin stabilitetin në rajon. Lidhur me procesin rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Hagë, ambasadori francez konsideron se nuk duhet harruar që drejtësia duhet të jetë në afërsi shumë të madhe me realitetin.
“Drejtësia nuk është abstrakte. Njohja e një shteti ka të bëjë me sovranitetin e shtetit që bën njohjen. Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk mund të imagjinoj asnjë hap prapa lidhur me këtë. Dhe të gjithë do t’ua thonë të njëjtën gjë”, ka thënë Terral.

Megjithëkëtë, ai pret që qëndrimi i Gjykatës Ndërkombëtare të jetë i balancuar dhe se do të hapë një kapitull të ri. “Do të duhet të pyesim vetën se çfarë raporti duhet të ketë ndaj gjithë kësaj duke marrë parasysh se sipas pikëvështrimit tonë Kosova dhe Serbia do të duhet të arrijnë marrëveshje në mënyrë që marrëdhëniet e tyre të rregullohen në atë mënyrë që kjo të mos paraqesë problem për tërë rajonin. E posaçërisht jo për perspektivën evropiane të të gjitha vendeve në rajon, duke filluar nga Serbia”, ka thënë Ambasadori Terral në një intervistë për radion B92.

“Do ta përsëris atë që presidenti Sarkozy në Paris i ka thënë presidentit Tadic: njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për përfshirjen e Serbisë në Bashkimin Europian. Por, po e përsëris, duhet të arrihet deri te marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë diplomati francez.

Gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës në udhëheqjen e Treshes ndërkombëtare në vjeshtën e vitit 2007, delegacioni kosovar i kishte ofruar Serbisë nënshkrimin e një traktati të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve, por delegacioni i Beogradit e kishe refuzuar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e mbledhjes së dëshmimeve dhe fakteve rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Në gjysmën e parë të këtij viti pritet të dalë me opinion këshillues që nuk është obligues por ka rëndësi politike dhe morale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›