E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, jep dorëheqjen edhe Jani Jani

21-04-2013 / Gazeta 55

Vendimi shenjë solidariteti me ish anëtarët e tjerë Muho, Biba e Shtylla


Përfaqësuesi i PBDNJ-së në KQZ, Jani jani dha sot dorëheqjen nga posti i anëtarit të të këtij institucioni. Dorëheqjen e tij, Jani e ka vënë në dispozicionin të KQZ dhe për dijeni të Kuvendit. “Zhvillimet e dhjetëditëshit te fundit brenda e jashtë KQZ-se, nga njëra anë  ku njeri prej anëtareve u shkarkua nga Kuvendi dhe dy të tjerë dhanë dorëheqje për shkak të cenimit të integritetit, pavarësisë dhe ushtrimit të mandatit të anëtarit si edhe vazhdimin e situatës dhe mungesën e një reflektimi real dhe te dukshëm nga politika dhe nga ana tjetër pamundësia për te mos qene indiferent edhe ndaj asaj qe është nënvizuar ne raportin e Departamentit te Shtetit per “institucione shtetërore skajshmërisht te politizuara përfshi edhe KQZ-ne, po minojnë te drejtat e qytetareve per te marre pjese ne qeverisje”, me imponojnë të japë edhe unë dorëheqjen nga detyra e anëtarit te Komisionit Qendror te Zgjedhjeve", argumentoi Jani dorëheqjen e tij si anëtar i këtij institucioni. Tre ditë më parë, Jani ngriu marrëdhënien me KQZ me arsyetimin se kjo ishte një shenjë solidariteti me dy ish-kolegët e tij të dorëhequr më herët përfaqësues të PS-së në KQZ, Denar Biba dhe Albana Shtyylla. Në deklaratën e shpërndarë mediave, Jani u shpreh se lëvizja e tij u ndërmor edhe si përgjigje e ndërprerjes së kundraligjshme të mandatit të Ilirjan Muhos nga Kuvendi. Edhe pse me mungesën e 3 anëtarëve, Komisioni do të mund të vijojë procesin përgatitor për zgjedhjet e 23 qershorit, pasi ekziston kuorumi i nevojshëm prej 4 anëtarësh. Ndërkohë, janë vënë në lëvizje të gjitha hallkat procedurale dhe ligjore për zëvendësimin e dy anëtarëve të dorëhequr, të propozuar nga PS. KQZ ka njoftuar Kuvendin për plotësimin e vendeve vakante dhe në bazë të përcaktimeve në Kodin Zgjedhor. Në nenin 19 të tij, thuhet se “në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe, gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi, jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›