Maqedoni, zhvillohet sot raundi i tretë i zgjedhjeve lokale
Në Maqedoni po mbahet sot raundi i tretë i zgjedhjeve vendore në tri komuna dhe raundi i dytë në një komunë. Zgjedhje po mbahen ne Strugë dhe dy komuna të Shkupit - Qendër dhe Gjorce Petrov. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në paraqitjen e parë për ditën e sotme ka informuar se të gjitha 78 vendvotimet në këto komuna janë hapur me kohë, ndërsa votimi është duke u zhvilluar pa probleme. Zgjedhjet po mbikëqyrura nga një numër i konsiderueshëm i monitoruesve ndërkombëtarë dhe atyre vendor, që kanë bërë thirrje për zgjedhjet të qeta dhe demokratike. Ndryshe, zgjedhjet në Strugë mbahen edhe përkundër faktit se Komisioni Shtetëror Zgjedhor kishte vendosur kundër një gjëje të tillë, por ankesa e partisë në pushtet VMRO-DPMBE kishte marrë dritën jeshile në Gjykatën Administrative të Maqedonisë, njëlloj sikurse edhe për Komunën Qendër të Shkupit. Përveç në Strugë, kandidatë të dy etnive të ndryshme shqiptar dhe maqedonas sot po përballen edhe në Komunën e Dollnenit, ku në balotazh drejtpërdrejt janë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe partneri i saj i koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE. Deri tani janë zgjedhur dhe kanë marrë tanimë postet e tyre 77 kryetarë komunash, kurse shqiptarët pas 70 viteve rikthyen nën drejtimin e tyre Komunën e Kërçovës, e cila menjëherë pas inaugurimit të kreut të ri, Fatmir Dehari, filloi të frymojë shqip. Me këto rivotime pritet të përmbyllen zgjedhjet lokale në Maqedoni.
...