E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ kërkon qëndrimin e partive për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore 2027

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur konsultimet me partitë politike për mundësinë e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Përmes një shkrese zyrtare drejtuar forcave kryesore politike në vend, KQZ bën me dije se po vlerëson shtrirjen e aplikimit të teknologjisë zgjedhore në një numër të caktuar njësish të qeverisjes vendore.

Sipas KQZ-së, “duke marrë në konsideratë aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën për implementim të qëndrueshëm dhe në kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se një shtrirje në 3 apo 4 bashki të mëdha përbën një qasje të arsyeshme dhe proporcionale”.

Për këtë arsye, KQZ kërkon që çdo vendimmarrje për zgjerimin e procesit të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike.

KQZ u kërkon partive të paraqesin qëndrimin e tyre për mundësinë e zhvillimit të votimit dhe numërimit elektronik në disa bashki të mëdha, përpara nisjes së procesit zgjedhor të vitit 2027.

Në kuadër të konsultimeve, partitë politike janë ftuar të caktojnë përfaqësuesit e tyre për të marrë pjesë në një takim konsultues në KQZ, i cili do të zhvillohet më 9 tetor, në orën 11:30.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›