KQZ mandaton 6 kryebashkiakët e rinj, PD bojkoton mbledhjen

KQZ “i vë pikën“ zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, që u mbajtën në 6 bashki. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim sot të miratojë mandatet për 6 kryebashkiakët e zgjedhur në zgjedhjet e pjesshme vendore. Mandati i kryebashkiakëve të rinj është vetëm 1 vjeçar.
KQZ i dha mandatin kryetarëve të Bashkisë Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë, paraditen e sotme, ndërsa për 3 bashkitë e tjera, Durrës, Shkodër, Lushnjë, u mblodh sërish pasdite ku, pas verifikimeve, i certifikoi dhe ato.
Partia Demokratike nuk u bë pjesë e mbledhjes së KQZ-së, kur u mor vendimi për mandatimin e 6 kryebashkiakëve të rinj. Nga opozita, i pranishëm në sallë ishte vetëm përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Shtëpia e Lirisë“, mes LSI-së dhe Berishës, që fituan bashkinë e Shkodrës. Partia Socialiste fitoi 5 bashkitë e tjera. PD-ja nuk fitoi asnjë bashki në këtë garë.