E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëria për Reformën e KS-së në OKB: JO-VETO kur ka mizori masive, PO-një anëtar i përhershëm nga Europa Lindore

Shqipëria ka kërkuar rishikimin e përdorimit të VETO-s në Këshillin e Sigurimit. Në takimin për diskutimin interaktiv dhe të hapur për reformën e Këshillit të Sigurimit, Përfaqësuesi i Shqipërisë Arjan Spase është deklaruar në mbështetje të pikëpamjes së shumicës së vendeve të OKB-së për një nevojë të padiskutueshme të Këshillit, në mënyrë që të pasqyrojë realitetet gjeopolitike të shekullit të 21-të në raport me përgjegjësisë kryesore të tij: ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale. 

Pikërisht referuar këtij funksioni, përfaqësuesi shqiptar kujtoi se praktika e vetos e ushtruar nga Rusia tregon më shumë se kurrë se kufizimet e saj janë mëse të nevojshme. 

“Më 25 shkurt , Këshilli i Sigurimit votoi një projektrezolutë për aktin e agresionit që Rusia ka kryer ndaj Ukrainës, të prezantuar nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara. 11 anëtarë të Këshillit të Sigurimit votuan pro, dhe vetëm një vend votoi kundër, duke vënë veton ndaj tij, ndërsa 81 anëtarë të OKB-së bashkësponsorizuan atë. Këshilli i Sigurimit nuk mund ta dënonte në mënyrë efektive Rusinë për aktet e saj të paligjshme, për shkeljen flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që është detyrimi për t’u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”.

Referuar sidomos kësaj situate Shqipëria ka deklaruar se mekanizmi i vetos duhet të konsiderohet një element kyç i Reformës së Këshillit të Sigurimit, për të garantuar efektivitetin e këtij të fundit në adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë.

“Si shumë anëtarë të tjerë të OKB-së, si një vend nënshkrues i Kodit të Sjelljes, Shqipëria mbështet kufizimet e përdorimit të vetos në rastet e mizorive masive, gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, si prezantuar nga Grupi i Përgjegjshmërisë, Koherencës dhe Transparencës. Jemi në linjë edhe me iniciativën e Francës dhe Meksikës të paraqitur në “Deklarata Politike për pezullimin e vetos në rast të mizorive masive”, duke u bërë thirrje anëtarëve të përhershëm që vullnetarisht të përmbahen nga përdorimi i vetos në rast gjenocidi, krimi kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në shkallë të gjerë”.

Në të njëjtin takim të reformës, Shqipëria i është referuar shpërndarjes së barabartë rajonale të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Propozimi i bërë në këtë diskutim nga Shqipëria, është që në Këshillin e Sigurimit të shtohet një anëtar i përhershëm nga Europa Lindore.

Këshilli i Sigurimit numëron 5 anëtarë të përhershëm sipas Kartës së OKB-së, për njërin prej të cilëve, Rusinë, ngjarjet e fundit kanë treguar se jo vetëm është sjellë si agresor ndaj një vendi tjetër, por ka bllokuar funksionin e Këshillit ët Sigurimit për vendime detyruese ndaj konflikteve të armatosura apo krime kundër njerëzimit. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›