E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ mban pezull vendimet me pesë vota

Bledar Hoti

Socialistët dhe demokratët përplasen për aktet normative dhe udhëzimet

BLEDAR HOTI

KQZKomisioni Qendror i Zgjedhjeve mban pezull vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Mungesa e anëtarëve, vijimi i punës me 4 e jo me 7 anëtarë, e ka futur në ngërç këtë institucion.

Vendimet me pesë vota u bënë objekt i debatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin për moskalimin e disa akteve që kërkojnë shumicë të cilësuar të votave, të pesë anëtarëve të këtij institucioni. Shqetësimi u ngrit nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Gen Gjonçaj, i cili kërkoi përfshirjen e vendimeve si ai i Vendnumërimit të Votave. Vërej që disa projektvendime të rëndësishme jo vetëm që nuk janë paraqitur në kohën e duhur, por madje nuk duket asnjë shenjë që këto projekte të paraqiten për shqyrtim dhe miratim në KQZ. I referohem akteve që kanë të bëjnë me caktimin e vendeve të numërimit të votave, mënyrën e ngritjes së grupeve të numërimit, caktimin e tavolinave të grupeve të numërimit, akteve që kanë të bëjnë për mënyrën dhe organizimin e punës në VNV, rregullat që duhet të ndiqen nga KZAZ-ja dhe nga GNV-të, radhën e veprimeve dhe ndarjeve të detyrave midis anëtarëve të GNV-së, aktin shumë të rëndësishëm për funksionimin dhe organizimin e KQV-ve, aktin e manualit të qendrës së votimit, si dhe aktin e cili do të duhet të përcaktojë rregullat që do të duhet të zbatohen në vend numërimet e votave nga grupet e numërimit dhe nga KZAZ-ja përkasë. Të gjithë këto akte e kanë pasur datën e miratimit më 5 prill 2013 dhe afati maksimal ka qenë më 23 prill. Ne jemi afërsisht 50 ditë para datës së zgjedhjeve, por aktet që unë cilësova janë shumë të rëndësishëm, që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit më 13 qershor, tha Gjonçaj. Ai theksoi se janë përcaktuar rregulla të reja të cilat ndryshojnë mënyrën e veprimit, qoftë të komisioneve të qendrave të votimit, qoftë të grupeve të numërimit. Jemi shumë vonë. Mosmiratimi i këtyre akteve e fut procesin në një rrugë shumë të rrezikshme. Nuk mund të ketë asnjë analogji me vitet e mëparshme, sepse kodi ka ndryshuar. Në këtë kuadër, po me kaq shqetësim vërehet mosmiratimi i një akti tjetër që ka të bëjë me transparencën, akti që ka të bëjë me mbledhjen, administrimin dhe publikimin elektronik të informacioneve paraprake. Edhe ky afat ka pasur si kohë limit datën 23 shkurt. Jemi para një problematike dhe nuk ka pasur transparencë në nxjerrjen e të dhënave. Përtej nuk kemi asnjë informacion se çfarë po bëhet me një projekt shumë të rëndësishëm të USAID-it për publikimin e këtyre të dhënave. Ju mund të thoni se janë organizime të brendshme, por janë shumë të rëndësishëm që të kenë një përgjigje. Ndërkohë që ka ndërhyrë përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, i cili ka theksuar se kjo situatë erdhi nga ikja e tre anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga opozita. Meqë flitet për plan veprimi të miratuar nga KQZ, unë di që planin nuk e keni miratuar vetëm ju 4 anëtarët, por keni qenë 7 kur e keni miratuar. Është ashtu siç e keni komentuar ju, që ai është orientues, por mund të ketë edhe ndonjë akt që duhet parë dhe ligji thotë që ky akt do 5 vota. Përse përfaqësuesi i PS-së merret me vajtime dhe nuk bën detyrën si parti, me detyrimin që ka që në ato vendet bosh të vijnë përfaqësuesit e PS-së dhe të PBDNJ-së për të kryer detyrën e tyre kushtetuese. Sa mirë të tjerat i kërkojnë, pasi sipas informacionit  që kam unë ata kërkojnë edhe pagën për periudhën që nuk kanë qenë në punë në KQZ. Por përfaqësuesi i PS-së të mos ju kërkojë që të vijnë të bëjnë detyrën. Përse nuk vijnë edhe ata të marrin detyrimin për ato shqetësime që ju keni, theksoi Kosovrasti. Ndërkohë që kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, ka theksuar se të gjithë aktet janë në fuqi. Për ato akte si pasojë e ndryshimit të kodit, kërkojmë ndryshime. KQZ i ka në procedurë e sipër. Për ato që nuk e shikojmë nevojën e ndryshimeve do të zbatohet kodi ashtu siç është dhe aktet në fuqi. Për vendet e numërimit të votave ka ende edhe 40 ditë. Plani është orientues.

Miratohet Bordi 

KQZ rrëzon Partinë Civile, sot shqyrtimi i koalicioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e Partisë Civile për tu përfshirë në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas KQZ-së paraqitja e dokumenteve për tu regjistruar është jashtë afatit ligjor. Ndërkohë që debate jo të pakta pati për Partinë Aleanca Popullore. Pas shumë përplasjesh, KQZ-ja me katër vota pro pranoi që ta përfshinte këtë parti në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky subjekt është në koalicion me PS-në. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të ngrejë Bordin e Monitorimit të Medias me anëtarët: Andi Kananaj, Ardian Thano, Dardan Malaj, Rexhep Polisi, Klarita Bajraktari dhe Andon Andoni. Kryetarja e KQZ, Lefterije Luzi (Lleshi), vendosi të tërheqë propozimin për anëtar të BMM, Basir Çollaku, për arsye të emërimit në një detyrë tjetër. Propozimi për anëtarin e 7 të BMM-së do të bëhet nga Kryetarja e KQZ-së brenda një afati të shkurtër kohor.

KQZ mban pezull vendimet me pesë vota burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›