KQZ miratoi rezultatet për kryetar të 18 komunave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur të enjten pasdite ka aprovuar rezultatet për kryetar të 18 komunave që kanë qenë për votim në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, ndërsa për komunën e Prizrenit dhe Lipjanit, ku janë shënuar parregullsi, nuk ka dhënë datën e mbajtjes së raundit të tretë.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka përmendur ankesat dhe parashtresat që kanë marrë nga KZAP-i, për të cilat tha se nuk ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të 13 dhjetorit.
“Sot kemi marrë informatë nga KZAP-i, të gjitha ankesat dhe parashtesat për zgjedhjet lokale të 13 dhjetorit 2009, të pranuara nga KZAP-i dhe që do të kishin ndikim në rezultatin e zgjedhjeve për kryetar të komunave janë shqyrtuar dhe vendosur sot më 24 dhjetor nga KZAP-i. Ndërsa shkresa e dyte vjen nga Gjykata Kushtetuese ku thotë se në përgjigjen e shkresës suaj ju njoftojmë se deri në momentin e shkrimit të kësaj përgjigje në orën 14.30 të 24 dhjetorit 2009 në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nuk ka ardhur asnjë kërkese lidhur me votimin dhe numërimin që do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të komunave”, ka theksuar Lushta.
Pastaj anëtarët e KQZ-së me shumicë votash kanë miratuar rezultatet për këto 18 komuna.
Kryetarja e KQZ-së, Lushta nuk ka dashur të flasë rreth caktimit të mundshëm të datës për raundin tretë të zgjedhjeve për Prizren dhe Lipjan, për shkak të parregullsive, duke iu shpërndarë një komunikatë mediave në të cilën sqarohet bashkëpunimi i KQZ-së me Ambasadën amerikane në Prishtinë.
KQZ i shpreh mirënjohjen e plotë për angazhimin e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe ambasadorit Kristofer Dell dhënë KQZ-së gjatë tërë procesit organizativ të zgjedhjeve lokale. Për më tepër, KQZ përkrahjen e ambasadorit Dell e vlerëson si inkurajim të plotë për punën e mëtejme të KQZ-së në implementimin e plotë të vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës.
“Jemi mirënjohës dhe kemi respekt të fuqishëm për z. Dell dhe stafin e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë. Në këtë proces të ndjeshëm, do të jemi të palëkundshëm në shkëmbimin e të gjitha eksperiencave dhe këshillave reciproke për të tejkaluar sfidat eventuale në dobi të demokracisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë më tej theksohet se deklaratat dhe komentet e disa mediumeve të shkruara, nuk përkasin me realitetin objektiv të angazhimit të KQZ-së.
“Ne edhe më tutje do të mbetemi besnik në implementimin e vullnetit të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin e Përgjithshëm për Zgjedhjet”, përfundon komunikata.
Përmes vendimit të 19 dhjetorit, KZAP-i i kishte rekomanduar KQZ-së që për përsëritjen e votimeve të bëjë ndërrimin e komisionarëve të qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, të shtojë praninë e pjesëtarëve të policisë në të gjitha qendrat e votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit.
Sipas KQZ-së, në ditën e përsëritjes së zgjedhjeve në Prizren e Lipjan, do të bëhet ndërrimi i komisionarëve në të gjitha qendrat e votimit. /kosovapress/