E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ miratoi sot ndryshimet në tabelën e rezultateve për qarkun Fier

KQZ miratoi mesditën e sotme me votë unanime disa ndryshime në tabelat përfundimtare të rezultateve të Qarkut Fier për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. KQZ, pas hetimit administrativ që zhvilloi përgjatë dy ditëve, nisur nga ankimimet e paraqitura nga PS dhe PD, që kërkuan rinumërim dhe rivlerësim të votave në rreth 10 qendra votimi të këtij Qarku, miratoi ndryshimet në vendimin e mëparshëm të KQZ-së të datës 7 korrik, duke përfshirë në tabelën përmbledhëse të rezultateve të kësaj zone zgjedhore rezultatet e QV-ve me nr. 3006, 3017, 3027, 3116, 3122, 3185, 3188, 3197, 2919 dhe 3052. Kryetari i KQZ-së Arben Ristani, para votimit të vendimit, vlerësoi punën e Komisionit për të zhvilluar një proces të plotë hetimor rreth pretendimeve të ngritura nga palët për këtë qark. "KQZ është munduar të jetë konseguente në rrugën e saj për të zhvilluar një proces të plotë hetimor. Megjithëse patëm tensione ne përmbyllëm një proces të plotë duke numëruar dhe ato kuti që në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme nuk ishin numëruar në vendet e numërimit të votave përkatëse", tha kryetari Ristani. Më tej ai "iu kujtoi të gjithë sharlatanëve që shajnë dhe nuk lënë tribunë pa shfrytëzuar për të sulmuar vendimarrjen ligjore të KQZ-së, se ne jemi udhëhequr nga ligji dhe do të ecim deri në fund, pavarësisht sharlatanizmit të tyre".  Qarku Fier ka shtatë zona të administrimit zgjedhor, dhe ku janë grupuar 488 qendra votimi. Për votimet e 28 qershorit në këtë qark u thirrën për të votuar rreth 352.423 zgjedhës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›