Shantazhi i Edvinit: Më lini të qetë, ndryshe bojkotoj zgjedhjet e dal në rrugë
Haxhi Qamili që ka pushtuar selinë e PS dhe atë të bashkisë e tha zyrtarisht sot se do të bojkotojë parlamentin e ardhshëm e do të bëjë thirrje për të zbritur në rugë, e se mandatet e deputetëve për të s’janë shumë të rëndësishme. Shantazhi ka surprizuar socialistët e thjeshtë, të cilët s’kanë ndërmend t’i shkojnë prapa një kufome politike
Me afrimin e përfundimit të procesit të numërimit të votave si dhe me rritjen e sigurisë se tashmë ky proces i ka përmbushur standardet që ndërkombëtarët kërkojnë nga shteti shqiptar dhe strukturat e tij, Edvini po zbardh strategjinë që kërkon të ndjekë për të mbetur ende në krye të PS-së, por edhe për të mos bashkëpunuar me drejtësinë, lidhur me hetimet që kanë nisur në Bashkinë e Tiranës. Zëdhënësja e Edvinit doli sot dhe paragjykoi në mes procesin e numërimit të votave në disa kuti të Fierit, duke kërkuar që pavarësisht rezultatit, t’i jepej PS-së mandati shtesë në Qarkun e Fierit, ndërkohë që kërkoi rinisjen e një kalvari rinumërimesh në Fier, Berat, Shkodër e Tiranë, edhe pse s’ka asnjë shpresë që prej këtij kalvari të dalë ndonjë deputet tjetër shtesë për Edvinin. Por mandati nuk është qëllimi i socialistëve. Zgjatja e procesit dhe nisja e legjislaturës së re me një bojkot parlamentar janë rruga më e mirë për të dëmtuar demokracinë shqiptare, por edhe për të shkurajuar kërkesat e socialistëve, të cilët kërkojnë daljen e Edvinit nga politika. “Duam me çdo kusht mandatin e 9 në Fier, duam pa asnjë kompromis rinumërimin publik të një sërë kutish në Berat, Shkodër, Tiranë dhe gjetkë, ku rezultati është deformuar me mekanizma të paligjshëm. Askujt të mos i shkojë ndërmend, - theksoi kasnecja e Edvinit, - se ky proces i manipuluar do të mbetet pa zbardhur, qoftë deri në nxjerrjen e rezultatit dhe qoftë pas nxjerrjes së rezultatit, kur ne do kërkojmë hetimin e plotë të dokumentacionit zgjedhor, në një sërë gropash të zeza të 28 qershorit, dhe nuk do gjejmë paqe pa u ndëshkuar kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka cenuar barazinë në zgjedhje. Vetëm transparenca para popullit sovran e shpëton parlamentin e ardhshëm nga mungesa e opozitës, e cila po u shkel në të drejtat e saj kushtetuese e ligjore mbi procesin zgjedhor, nuk do ta njohë parlamentin dhe do të ndjekë rrugën e protestave popullore për shpëtimin e demokracisë”, përfundoi deklarata e Armela Imerajt, e cila përkthehet si një shantazh i qartë se PS s’do t’i njohë zgjedhjet, se legjislatura e re do të nisë me një bojkot të opozitës dhe se protestat mund të jenë në axhendën kryesore të Edvinit. Deklarata është qartësisht pjesë e një shantazhi të kryebashkiakut të Tiranës, i cili u thotë rivalëve politikë se s’duhet të inkurajojnë largimin e tij nga politika, pasi ai ishte i gatshëm të luante me politikën e tokës së djegur, mjaft që të mos përfundonte pas hekurave, pas ndonjë procesi të pavarur gjyqësor. Është një bast i rëndësishëm, të cilin afërmendsh, fituesit e zgjedhjeve dhe vëzhguesit ndërkombëtarë s’kanë ndërmend ta përfillin.
Kronika: PS s’heq dorë nga kërcënimi për njohjen e zgjedhjeve, bën thirrje për destabilizim Kërkojnë me çdo kusht dhe çdo çmim mandatin e nëntë në Qarkun e Fierit TIRANE – “Jemi gati që të mbrojmë me çdo mjet dhe me çdo çmim, mandatin e nëntë në Fier dhe në këtë mënyrë, votën e qytetarëve”. Këtë deklarim e bëri dje, zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj. Duke theksuar se Fieri nuk nëpërkëmbet, me forcën e verbër të një pushteti të dënuar me votë, Imeraj shtoi se kjo nuk do të bëhet as me truke gjoja ligjore, që çojnë drejt grabitjes së mandatit që populli socialist i Fierit i ka dhënë Partisë Socialiste. Më tej Imeraj citoi se “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Fierit, dhe mbarë Shqipërisë, që votuan Partinë Socialiste në 28 qershor, që të ndjekin nga afër maskaradën e KQZ, dhe të përgatiten shpirtërisht për të ndalur dorën e grabitësve, në rast se KQZ nuk do të ndalet në realizimin e skenarit ogurzi të Sali Berishës”. Në këtë pikë, Imeraj bëri të qartë se “ne nuk i njohim zgjedhjet në rast se mandati i nëntë i Partisë Socialiste në Fier do të grabitet, duke shtuar se, ne do ta marrim atë mandat me çdo mjet e me çdo çmim”.
...