Nesër shqyrtohen ankimimet për qarkun e Tiranës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të shqyrtojë të martën kërkesat ankimore të paraqitura nga subjektet politike lidhur me procesin zgjedhor në qarkun Tiranë. Në fillim të mbledhjes së sotme KQZ u njoh me një numër ankesash të forcave politike,që kundërshtojnë vendimet e zonës zgjedhore Qarku Tiranë, për rezultatet në disa KZAZ të tij. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pjesë e koalicionit të majtë "Bashkimi për ndryshim", kërkoi rinumërim të votave në KZAZ-të nr.49, 54 dhe 56, pasi votat në favor të këtij subjekti nuk figurojnë në tabelën e rezultateve. Kjo kërkesë e PBDNJ-së, iu rikthye për plotësim dokumentacioni subjektit përkatës. Ndërkohë, që Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), pjesë e koalicionit "Poli i Lirisë", u ankimua pranë komisionit zgjedhor duke kërkuar rinumërim të votave në KZAZ-në nr. 49, 45, 51 dhe 54 në Tiranë. Gjithashtu, dhe PS kundërshtoi vendimet e KZAZ-së nr. 55, 56, 57, 58 59 dhe 60 po të qarkut Tiranë. Nisur nga numri i madh i ankesave për këtë zonë zgjedhore, Komisioni ra dakord që ankesat të shqyrtohen paraditen e ditës së nesërme.
...