PS: Raporti i KiE-së nuk i referohet zgjedhjeve të 8 majit
Asambleja e Këshillit të Evropës ka kaluar një raport monitorimi për të gjitha shtetet që janë nën monitorimin e KiE-së, ku ndër të tjera ka dhe një paragraf për Shqipërinë. Në këtë paragraf flitet për domosdoshmërinë e reformës zgjedhore dhe i bëhet thirrje opozitës të ndalë bojkotin e Kuvendit e të nisë dialogu politik.
Por, përfaqësues të opozitës thanë për Tema se ky raport monitorimi është i vjetër dhe është përgatitur para zgjedhjeve të 8 majit. Sipas tyre, thirrjet për heqjen dorë nga bojkoti kanë të bëjnë me mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve të majit, duke pasur parasysh situatën konfliktuale që shoqëroi përgatitjet për këto zgjedhje.
Deputeti Arben Ahmetaj, që është dhe anëtar i delegacionit të parlamentit shqiptar në KiE, tha se raporti në fjalë është raporti i monitorimit për periudhat e kaluara, siç thuhet në krye të këtij raporti periudha e monitorimit është qershor 2010- maj 2011, dhe ska të bëjnë me situatën e sotme. Ai është përgatitur para zgjedhjeve të 8 majit, i referohet mosbojkotimit të zgjedhjeve lokale nga ana e opozitës. Pra, përmbajtja e raportit është vetë një rezyme e ndodhive politike në shumë vende të botës që janë nën monitorim dhe ska lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Siç mund ta konstatoni, paragrafi për Shqipërinë është dy rrjeshta.
Opozita e sheh këtë raport si një punë rutinë vjetore që bën asambleja e KiE-së dhe mënyra se si ai është shfaqur në mediat proqeveritare për të është një abuzim. Ajo i referohet qëndrimeve të tjera të KiE-së dhe zyrtarëve të saj që kërkojnë nga qeveria aktuale të nisë dialogun, si dhe e kritikon për procesin e zgjedhjeve të 8 majit.
Ky qëndrim shihet qartë në letrën që disa ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së KiE-së i dërgoi kryeministrit Berisha, ku shfaqte hapur mosbesimin në vendimmarrjen e KQZ-së e Kolegjit Zgjedhor duke kërkuar një opinion të Komisionit të Venecias për debatin ligjor për votat e Tiranës.