E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ nis numërimin e votave të kontestuara, sot Lulzim Basha shpallet fitues i Tiranës

22-05-2011 / Gazeta 55

Mbyllet numërimi në KZAZ-në nr. 49

Lulzim Basha pritet të shpallet sot zyrtarisht kryetar i bashkisë së Tiranës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi dje pasdite vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për bashkinë Tiranë, me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 49, njësia 5, e cila përmbylli e fundit procesin e numërimit të votave në kryeqytet. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në përfundim të mbledhjes së djeshme, njoftoi përfundimin e numërimit te njësia bashkiake nr. 5, ndërsa lajmëroi fillimin e numërimit nga KQZ të kutive me fletë të pa numëruara, të hedhura në kutitë e gabuara. KQZ nisi numërimin rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, për të vazhduar deri në mesnatë, kur edhe u ndërpre, për të rinisur gjatë orëve të para të ditës së sotme.
Dje ishte dita e katërt që KQZ vijoi me numërimin e fletëve të votimit të gjetura në kutitë e gabuara. Pas numërimit deri dje të 95 kutive me fletë të kontestuara, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha kishte siguruar një avantazh me 77 vota, ndaj kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
Me gjithë kundërshtimet e opozitës për veprimtari të paligjshme nga ana e KQZ-s, kjo e fundit do të vijojë procedurën e nisur për të përmbyllur sa më parë nxjerrjen e një rezultati zyrtar për bashkinë e kryeqytetit.
Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh se Shqipëria është shtet ligjor dhe çdo pakënaqësi është normale të ankimohet në instancat përkatëse. Kreu i KQZ-së ri-përsëriti edhe një herë se vota e hedhur në kutinë e gabuar është një votë e vlefshme, sepse kutia është pjesë e administrimit dhe nuk është pjesë e votimit.
Sot pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi më herët në mbledhjen e tij, me shqyrtimin e ankesave nga parti të ndryshme politike, lidhur me procesin zgjedhor të zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor të 8 majit. Paraditen e djeshme, KQZ në mbledhjen e tij, procedoi me ankesat e subjekteve politike. KQZ pranoi ankesën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për dy qendra votimi në KZAZ-në 62 në komunën Brataj, Vlorë për hapjen e kutive me vota të kontestuara. KQZ hodhi poshtë ankesën e PS-së për rinumërim të votave në QV 43 37, komuna qendër Libohovë, si të pabazuar në prova.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›