KQZ numëron fletët e gabuara, Basha +95 vota
Pesë ditë i kanë mjaftuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të zbatuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor, duke hapur 1793 kuti votimi. Institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve ka kërkuar dhe rivlerësuar të gjitha votat e hedhura gabim në të 11 njësitë vendore të Tiranës. Në përfundim të këtij procesi, rezultoi se kandidati i propozuar nga koalicionit i mazhorancës “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, ka një avantazh prej 95 votash në raport me rivalin e tij të propozuar nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama. Në përfundim të procesit u hapën gjithsej 1793 kuti, nga 368 qendra votimi, që prekeshin nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Në këto 1793 kuti të hapura u gjetën 498 fletë votimi të hedhura gabim, kurse diferenca mes kandidatëve Basha dhe Rama ishte 14 vota përpara kandidati Basha. Nga hapja e 117 kutive të para, në fazën e mëparshme, rezultati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fliste për një avantazh të kandidatit Basha me 81 vota. Duke i shtuar avantazhin e hapjes së 1793 kutive pas vendimit të Kolegjit, diferenca sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shkon 95 vota. Në fillim i numëruan votat e njësisë numër 1, ku kandidati Basha mori 28 vota shtesë dhe kandidati Rama 26, në 156 kuti të numëruara. Në njësinë bashkiake numër 2, pas hapjes së 201 kutive, rezultoi se kandidati Basha mori 21 vota dhe Edi Rama mori 12 vota. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi edhe kutitë e njësisë bashkiake numër 3, duke gjetur 20 vota për Lulzim Bashën dhe 34 për Edi Ramën, në 117 kuti të rivlerësuara. Votat e hedhura gabim u ndanë në mënyrë të barabartë, në njësinë bashkiake numër 4 në Tiranë, ku Basha dhe Rama morën që të dy nga 53 vota, pas numërimit të afro 160 kutive. Ndonëse më e madhja në shtrirje gjeografike, njësia bashkiake numër pesë nuk ofroi surpriza dhe kandidatët u ndanë shumë ngushtë me njëri tjetrin. Basha mori 7 vota shtesë, ndërsa Rama 3 të tilla. Një avantazh i Ramës u vu re tek njësia bashkiake numër 6, që përkon me zonën e Kombinatit. Aty Rama mori 27 vota, ndërsa kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, 19 të tilla nga hapja e 190 kutive. Diferencë e ngushtë në favor të Ramës u vu re edhe te njësia 7, ku Rama arriti të shtojë në tabelë 23 vota, ndërsa Basha vetëm 20 të tjera pas hapjes së 195 kutive. Procesi i kryer në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për njësinë bashkiake numër tetë, çoi tetë vota në favor të Bashës dhe gjashtë në favor të Ramës. Në njësinë numër nëntë, kandidati i mazhorancës mori 27 vota dhe ai i opozitës arriti në 26. Njësia bashkiake numër 10, nxori sërish në avantazh Lulzim Bashën duke i dhënë 11 vota shtesë dhe Edi Rama mori 8 të tilla. E fundit në procesin e hapjes së kutive të votimit ishte njësia numër 11 e cila çoi 34 vota shtesë për Bashën dhe 24 për Ramën. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vu në lëvizje pas vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor, i cili pranoi pjesërisht një padi të depozituar nga Partia Socialiste dhe që kontestonte numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, në 117 kuti nga institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve. KQZ pritet që sot të kalojë për miratim tabelën e rezultatit në Bashkinë e Tiranës, për ta miratuar dhe shpallur edhe njëherë fituesin e garës së 8 Majit. D.Malaj