Sezoni turistik, në Vlorë mungon energjia elektrike
VLORË- Disa lagje në qytetin e Vlorës vuajnë mungesën e energjisë elektrike, ndërsa sezoni turistik tashmë ka nisur në këtë qytet. Kohët e fundit ndërprerje shumëorëshe janë vërejtur në lagjet “Isa Boletini”, “28 Nëntori”, “Pavarësia”, zona e spitalit dhe zona të tjera. Ndërprerjet aplikohen edhe gjatë orëve të natës dhe qytetarët janë gjetur para faktit të kryer, pasi mungon transparenca për ndërprerjet. Arsyet nuk dihen, ndoshta janë probleme remonti, asgjë nuk ka qenë transparente. Në një kohë që drejtoria e ÇEZ operon jashtë qytetit të Vlorës, informacioni vjen edhe më i kufizuar. Situata më shqetësuese qëndron te spitali rajonal i qytetit. Mjekë të ndryshëm kanë pohuar se ndërprerjet nuk kanë përcjellë një situatë të qetë dhe normale, siç edhe duhet të jetë pranë ambienteve të tilla. “Salla e operacionit, sterilizimi i ilaçeve që mbahen në frigorifer, aparatura jashtë përdorimit” shpjegon një nga bluzat e bardha, janë disa nga repartet që preken direkt nga mungesa e këtij furnizimi me energji. Për të bërë një grafi, në raste të tilla i sëmuri duhet të shkojë te privati, pasi aparate të tillë funksionojnë normal, vetëm falë energjisë elektrike. Mungesa e energjisë këto ditë në spital aplikohet në një kohë kur fluksi i shtrimeve në spital, kryesisht në pediatri, është i dukshëm.
Por përveç mungesës së dritave, pushuesit në Vlorë duhet të përballen edhe me mungesën e hapësirave publike, ku mund të bëjnë plazh. Tashmë që plazhi ka nisur të frekuentohet, tufa çadrash vendosen në bregdet, një mënyrë biznesi kjo fitimprurëse, që jo pak qëllon të jetë e paligjshme. Një çadër dhe shezlonge sipas dëshirës në një vlerë nga 300 deri në 500 lekë, për një ditë pushimi është oferta që vjen nga “pronarët e vendit”, të cilët shumë herë janë ilegjitim. Veç tyre, sipërfaqet publike janë zaptuar edhe nga të tjera forma biznesi, ku ka edhe të jashtëligjshme. Vija bregdetare e Vlorës numëron tashmë rreth 15 të tilla, të cilat cilësohen abuzive. Shifra zyrtarizohet nga Bashkia e Vlorës. Sipas administratores së qytetit, Valbona Sulçe, janë të evidentuar rreth 15 biznese të tillë, ku po shfrytëzohen sipërfaqet publike në bregdet, ndërsa vetëm 6 subjekte janë paraqitur për marrjen e autorizimit dhe paguajnë detyrimet sipas tarifave të përcaktuara në këshillin bashkiak. Sulçe pohon se këto përfitojnë në dëm të qytetarëve, por edhe Bashkisë së Vlorës, pasi është kjo e fundit që përcakton, referuar bazës ligjore, edhe sipërfaqet që mund të shfrytëzohen. “Së bashku me policinë bashkiake kemi evidentuar gjithë shfrytëzimet abuzive në bregdet, dhe brenda këtij muaji do të veprohet sipas procedurave, për të liruar gjithë hapësirat dhe kaluar ato në plazhe publike”. Aktualisht Vlora ka një plazh publik në Ujë të Ftohtë, ku çadrat jepen falas nga Bashkia e Vlorës. E.H.