E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, provokator i krizave paszgjedhore

TIRANE- Historia na mëson se konfl ikte të mëdha e me pasoja të rënda janë iniciuar nga “ngjarje të vogla”, në dukje të rastësishme e të parëndësishme. Kujtoni provokimin e fillimit të Luftës së Parë e të Dytë Botërore dhe besoj se kaq mjafton për të provuar lidhjen e ngjarjeve të vogla me konfliktet e mëdha. Është provuar se ngjarjet e vogla janë përgatitur, inskenuar e mbështetur nga makina shtetërore. Kjo lidhje ekziston edhe në rastet e konflikteve brenda një vendi, konflikte këto të natyrave politike, etnike, fetare etj. Në këtë këndvështrim, nëse shohim veprimtarinë e KQZ-së, në vitet kur është drejtuar nga Arben Ristani (për hir të së vërtetës ka edhe ndonjë kryetar tjetër!), gjejmë raste të pastra kur ky institucion është bërë nismëtar i konflikteve politike dhe i krizave paszgjedhore. Kriza e rëndë politike pas zgjedhjeve të qershorit 2009 nisi brenda godinës së KQZ-së. Ishin mendjet djallëzore të komisionerëve të djathtë dhe këshilltareve të kryeministrit që përgatitën marrjen e një vendimi të KQZ-së, vendim ky që shërbeu si një ngjarje e vogël për të iniciuar një krizë politike e besimi shumë të rëndë dhe me pasoja të jashtëzakonshme për shoqërinë, shtetin e demokracinë në Shqipëri. KQZ-ja shkeli nenin 138 të Kodit Zgjedhor me votimin e një vendimi që u vu mbi Kodin Zgjedhor. KQZ-ja me këtë vendim mori tagrin e Kuvendit si ligjvënës dhe ushtroi një kompetencë që nuk ia jep Kodi Zgjedhor. Për kujtesë të lexuesit sqaroj se anëtaret e KQZ-së, përfaqësues të opozitës, referuar te drejtues ligjore që ua garanton neni 138 i Kodit Zgjedhor, kërkuan këqyrje të materialit zgjedhor. KQZ-ja në vend që të organizonte këqyrjen e materialit zgjedhor, përmes komisionerëve të djathtë miratoi një vendim që të mos miratonte kërkesën e kolegëve të majtë. Kodi Zgjedhor këtë të drejtë, komisionerëve të KQZ-së ua jep ekskluzivisht dhe nuk votohet në KQZ. E paimagjinueshme, por ja që ndodhi dhe neni 138 i Kodit Zgjedhor u shfuqizua. Nuk bëhet fjalë thjesht për marrjen e kompetencave të Kuvendit, as për shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor nga kryetari Ristani me koleget e tij të djathtë. Duke iu mohuar këtë të drejtë ligjore komisionerëve të majtë, KQZ-ja shfuqizoi apo bëri nul efektin e nenit 138, nen ky që ishte ura apo garancia e besimit të opozitës se manipulimet do të shmangeshin në zgjedhjet elektorale të qershorit 2009. Pra me këtë vendim, që në dukje është ngjarje e vogël, u minua garancia e opozitës për zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme e të barabarta dhe bashkë me këtë garanci u minua i tërë procesi zgjedhor. Më tej, kjo ngjarje e vogël u pasua nga një tjetër ngjarje e vogël dhe banale. Gjyqtarja relatore për ankimimin e Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor në ditën e zhvillimit të seancës gjyqësore u kthye nga rruga, sepse një hajdut ordiner kishte vjedhur shtëpinë e saj. Kujtojmë se kjo gjyqtare, dy apo tri ditë më parë kishte rrezuar një vendim të KQZ-së për rivlerësim të votave në një ZAZ të qarkut Fier dhe nga rivlerësimi, opozita fitoi një mandat të mohuar prej KQZ-së. Me sa duket, KQZ-ja e mori në mbrojtje një hajdut ordiner dhe Kolegji sa hap e mbyll sytë e zëvendësoi relatoren. Pasojat e vendimeve të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor tashmë njihen nga të gjithë shqiptaret. Kriza politike u zhvillua, mori përmasa ndërkombëtare dhe solli pasoja të rënda. Pasojat ishin humbja e besimit të ndërkombëtareve ndaj Shqipërisë, për me keq u derdh gjak shqiptari në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku humbën jetën katër qytetarë protestues dhe u plagosën dhjetëra qytetarë të tjerë. Duket qartë se nga një ngjarje e vogël u iniciua dhe u zhvillua një konflikt i madh e me pasoja të rënda për Shqipërinë. Pasojat dihen, por atyre që inskenuan dhe zhvilluan ngjarjen e vogël nuk iu hyri asnjë gjemb në këmbë. Kryetari Ristani dhe komisionerët e djathtë janë ulur në po ato karrige dhe lozin të njëjtën melodi si edhe në zgjedhjet elektorale të qershorit 2009. Gjatë fushatës zgjedhore, shumica e djathtë në KQZ mori disa vendime duke shkelur ligjin në favor të qeverisë. Për fat të mirë këto vendime i hodhi poshtë Kolegji Zgjedhor, duke i hapur rrugë zhvillimit të procesit zgjedhor. Akoma më keq, në procesin e numërimit maxhoranca e djathtë në KQZ po shfaqet si një trupë gjyqësore besnike ndaj qeverisë. Vendime të KQZ-së, të marra në datën 9 dhe 10 maj 2005, rrezikojnë të shndërrohen në ngjarje të vogla dhe të iniciojnë apo riciklojnë një krizë të madhe, të pakrahasueshme me atë që është zhvilluar nga qershori 2009 e deri në këto ditë. KQZ-ja ka marrë vendime që pasqyrojnë vlerësim e qëndrim me dy standarde. Për të njëjtën sjellje apo natyrë shkeljeje të komisionerëve, KQZ-ja shkarkoi komisionerët e majtë në ZAZ në Njësinë 10 dhe nuk shkarkoi komisionerët e djathtë në ZAZ e Njësisë 5 në Tiranë. Për më keq, për rregullsinë e dokumenteve të një qendre votimi në Njësinë 8, KQZ-ja në vend që të shqyrtonte ankimim të subjektit elektoral ndaj vendimit të KZAZ në këtë njësi, shqyrtoi një notë të komisionerëve të djathtë. Në këtë rast KQZ-ja shkeli ligjin për të favorizuar subjektin elektoral të Partisë Demokratike. Penalizimi i subjektit elektoral të Partisë Socialiste, në këtë rast shkoi deri aty sa që i heq të drejtën e ankimimit në Kolegjin Zgjedhor për këtë rast! Me vendime të tilla, në favor të pushtetit e jo të ligjit, KQZ-ja rrezikon apo tenton të krijojë ngjarjen e vogël. Është për të ardhur keq për katër komisionerët e djathtë, që edhe pse me një përvojë të gjatë si anëtarë të KQZ-së, nuk kanë mundur të çlirohen nga kthetrat partiake dhe të rreshtohen në favor të ligjit, mision për të cilin janë zgjedhur ta bëjnë. Ata nuk duhet të harrojnë se janë aty për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Gjërat sa vijnë e sqarohen dhe makina e së vërtetës po montohet ditë pas ditë. Komisionerët t’i hapin rrugë zbatimit të ligjit, mos të krijojnë ngjarje të vogla, sepse fatura, aq sa mbi shqiptarët do të rëndojë edhe mbi ata vetë. Vendimet e drejta të KQ-së do të shpëtojnë procesin zgjedhor dhe do të na sigurojnë një notë kaluese tek ndërkombëtarët. Për Shqipërinë kjo është shumë herë më e rëndësishme se nga shkon pushteti, do të thosha se është jetike. Të nderuar kolegë, mos e harroni këtë! Punoni për Shqipërinë dhe jo për partitë!
*Ish-anëtar i KQZ-së në zgjedhjet e vitit 1996 dhe 1997.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›