Mazohizmi i votës së lagjes së Bllokut
Nëse kemi mësuar të gjithë diçka në këto palë zgjedhje lokale është se, një zonë zgjedhore në Tiranë është plot me votues të majtë të skuqur flakë. Është njësia numër 5, që është edhe hambari më madh i votave pro Partisë Socialiste. Këta votues në mënyrë masive votojnë në gjendje emocionale të alteruar cilindo që ka lidhje afektive dhe familjare me zonën e tyre. Për ata që e kanë sadopak të vështirësi për të identifikuar këtë njësi bashkiake, po themi se është zona e ish-Bllokut të udhëheqjes komuniste dhe zgjatimi i saj territorial në lagjen e Komunës së Parisit, që po mban peng rezultatin për kryebashkiakun e ardhshëm të Tiranës.
Padyshim më i favorizuari i kësaj njësie është çuni i bllokut të udhëheqjes dhe njeriu që ka jetuar me vëth në vesh në Paris, Edi Rama. Është i përzgjedhuri i nomenklaturës së regjimit, i njëjti njeri që ka rikthyer gjeneratën e dytë të Bllokut në majën e kryesisë së PS-së, që sot kërkon të mbajë regjimin socialist të Tiranës. Në këtë njësi ata i kanë të gjitha shpresat. Kanë rrethuar qendrën e numërimit me qëllim vënien në presion të komisionarëve numërues, u kërkojnë atyre të jenë vigjilentë, sy hapur, se armiku fle, kurse Saliu jo. Deputeti Braçe i Beratit ka demaskuar për median pranë saj lloj-lloj skenarësh manipulimi, bile ka shkuar deri aty sa flet për furgona të bardhë, për njerëz me çanta plot me vota dhe tunele nëntokësore. Paranoja ushqehet nga frika e humbjes së pushtetit, domethënë të burimit të forcës së tyre financiare dhe mediatike, aq të nevojshme për makinën e baltës me të cilën galvanizojnë votuesit e tyre. Sepse të gjithë ata pallate që janë ndërtuar në këto zonë ka pronarë mediash afër kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Megjithatë dallimi është i dukshëm është jo vetëm në rezultatet paraprake të procesit të numërimit të kutive, por edhe në dallim me zona të tjera ku Rama pothuajse i ka humbur të gjitha njësitë. Tejet simbolik është edhe vendi ku janë duke u numëruar kutitë e fundit të votimit: shkolla “Vasil Shanto”. Themi se është simbolik, për faktin se Vasil Shanto është një nga themeluesit e Partisë Komuniste. Është një shenjë jo fort e mirë për demokracinë, që një shkollë në Tiranë mban ende emrin e një themeluesi të partisë së diktaturës së proletariatit. Fatkeqësitë më të mëdha të këtij vendi u kanë ardhur prej njerëzve të modifikuar gjenetikisht nga diktatura.
Prandaj, ai që thotë me gjysmë shaka se “Blloku do të vendosë edhe të sotmen tonë” nuk është se e ka totalisht gabim. Ne jemi përballë ca shenjave jo fort të mira për të ardhmen e këtij qyteti. Pse frika më e madhe është që sërish “Blloku” ka pasur në dorë të vendosë së kë do të kemi në krye të Tiranës, përballë sfidave më të rëndësishme të vendit.
Sidoqoftë e çuditshme por e vërtetë është se kemi të bëjmë me njësinë më të masakruar nga ndërtimet shumëkatëshe, të cilat kanë gllabëruar mijëra metra katrorë gjelbërim, që voton në kutinë e votimit për Edi Ramën. Ka diçka këtu që i shtyn njerëzit të votojnë njeriun që i ka poshtëruar me paaftësinë dhe keq-menaxhimin e Bashkisë.
Afërmendsh numërimi i mëtejshëm do të nxjerrë fitues Bashën ose Ramën. Numërimi i votave ka arritur në fazat më të rëndësishme. Edhe pse ka pasur ndoca situata të pakëndshme që përgatiten në selinë rozë dhe inskenohen nga komisionarët e Partisë Socialiste në qendra numërimi. Synimi final i gjithë kësaj gjullurdie është tensionimi artificial i situatës, njollosja e procesit zgjedhor në rast humbjeje, ngase është e vetmja rrugë e realizimit të ambicieve prapanike. Me këto veprime të pahijshme që bëjnë po përpiqen që të krijojnë panik sepse vetëm paniku mbizotëron në nënndërgjegjen e tyre.