KQZ rifillon numërimin e kutive të mbetura të Fierit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka rifilluar numërimin e votave për qarkun e Fierit pas një pause prej 2 orësh. Pas ankimimit të dy forcave politike PD dhe PS, KQZ në përfundim të një mbledhje maratonë vendosi numërimin e tre qendrave në KZAZ nr 18, dy qendrave dhe rivlerësim të votave në një tjetër qendër në KZAZ nr 19, një qendre votimi në KZAZ-në nr 20 dhe një tjetër qendre në KZAZ-në nr 22. Në mbledhjen e paradites Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve numëroi 3 kutitë e para të këtij qarku ku në kutinë e parë Partia Socialiste ka 301 vota, Partia Demokratike 226 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 22. Ndërsa në kutinë e dytë PS ka marrë 124 vota, PD 94 dhe LSI-ja 17 dhe në kutinë e tretë nga 392 vota të vlefshme, PD ka marrë 88 vota , LSI 14 vota dhe PS ka marrë 234 vota. Pasi janë numëruar këto 3 kuti KQZ-ja ka rifilluar në mbledhjen e pasdites numërimin e pesë kutive të tjera.