KQZ rrëzoi kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje, Berisha: S’ka forcë që na ndal të garojmë në 14 maj

Kreu i grupit të ‘Rithemelimit’, Sali Berisha ka deklaruar se ai është i vendosur të garojë në zgjedhjet vendore të 14 majit, megjithëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi kërkesën e tij për t’u regjistruar në këto zgjedhje.
Duke folur nga Lezha, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie në këtë Qark, Pashk Gjonin, Berisha u shpreh se zgjedhjet e 14 majit do të jenë firmosja e ndryshimit për Shqipërinë.
“Ne jemi të vendosur me 14 maj të firmosim ndryshimin, firmosim ndryshimin shpëtimtar për Shqipërinë. Nuk ka forcë në botë që na pengon ne të marrim pjesë në zgjedhje dhe ti fitojmë ato”, u shpreh Berisha.
Më tej Berisha u fokusua te qeverisja e kryeministrit Rama. Sipas tij, sot shqiptarët janë shumë herë më të varfër se sa në qeverisjen e Partisë Demokratike.
“Por ky regjim sillet si një pushtues i egër ndaj qytetarëve shqiptarë. Sot në shumicën e familjes së shqiptarëve troket varfëria, në një pjesë tjetër, mjerimi. Të gjitha këto janë të qëllimshme. Uluni me çdo lezhjan, mik, mikeshë, debatoni dhe shpjegojani, kjo është politikë e qëllimshme”, theksoi Berisha.
Gjithashtu, Berisha analizoi qeverisjen e 10 viteve të fundit të qeverisjes së kryeministrit Rama, duke theksuar se borxhi është rritur në 107 për qind.
“Çfarë ndodhi në 10 vitet që erdhën pas. Borxhi është rritur jo 4.6 %, por nga 62.6 në 107 %, është rritur 43%. Po rrogat sa u rritën? Çdo shqiptar, pensionist merr sot për shkak të rritjes së çmimeve nga 2014 e deri më sot, merr së paku 30% më pak, se sa blinte me rrogën e tij në vitin 2013. Ai ishte kjo pamundësi, absolutisht jo. Ishte qëllim, qëllim, dhe vetëm qëllim. Qëllimi i atij që vjedh ditën e natën qytetarët shqiptarë. E meqë i vjedh ditën e natën, në panverë, verë, dimër në çdo stinë e në çdo kohë, ai i urren viktimat e tij. Ai për të justifikuar kalbësinë e tij morale, i urren ata që vjedh. Ndaj nuk rrit rroga, pensionet”, përfundoi Berisha fjalën e tij.
/rtsh.al/