E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave me BE, Meta: Gëzohemi për integrimin europian të Kosovës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar Kosovën për vendimin, marrë sot (9 mars 2023) nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se Kosova sot është shembulli i duhur, që edhe Shqipëria duhet të ndjekë, për të bërë hapa drejt përmirësimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor.

“Sot urojmë Kosovën sepse ministrat e Bashkimit Europian votuan unanimisht liberalizimin e vizave. Por duhet të gëzohen edhe ministrat europianë që kanë mundësinë të afrojnë një vend me parametra të lartë demokratikë, si Kosova! Të gjithë gëzohemi me zhvillimet demokratike dhe integrimin europian të Kosovës sonë. Këtë e dëshmon edhe progresi i jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas Freedom House dhe Transparency International. Kosova është sot shembulli i duhur, që edhe Shqipëria duhet të ndjekë, për të bërë hapa drejt përmirësimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor”!, shkruan Meta.

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel. Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›