KQZ shqyrtoi sot disa kërkesa të partive politike për akreditimin e vëzhguesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shqyrtoi paraditen sot disa kërkesa për akreditim të vëzhguesve të organizatave joqeveritare për monitorim të zgjedhjeve parlamentare, duke miratuar një prej tyre dhe rrëzuar tre të tjera. Me votë unanime KQZ miratoi akreditimin e vëzhguesve afatshkurtër të organizatës së "Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë", ndërsa rrëzoi kërkesën e shoqatës Demokracia Sociale për Zhvillim, të Qendrës së të Drejtave të Njeriut për Demokraci dhe të Shoqatës së Trashëgimtarëve të Pushkatuar, pasi nuk ishin në përputhje me ligjin. Ditët e fundit KQZ ka miratuar listën e vëzhguesve të propozuar nga shoqata të ndryshme joqeveritare, shqiptare dhe të huaja, si dhe nga organizma ndërkombëtare, si Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë, nga OSBE/ODIHR, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri etj, të cilët i janë drejtuar zyrtarisht KQZ-së, duke kërkuar akreditimin e ekipeve të tyre vëzhguese afatshkurtëra. Ndërkohë, më 8 maj, ODIHR, organizata e specializuar në monitorimin e proceseve zgjedhore, nisi zyrtarisht misionin vëzhgues në Tiranë, të përbërë nga 39 vëzhgues afatgjatë, nën kryesimin e britanikes Audrey Glover. Sipas ligjit zgjedhor, OJF-të shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësues të shteteve të huaja dhe medias, kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje. Kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. Komisioni i miraton ato jo më vonë se pesë ditë nga paraqitja e tyre, ndërsa kërkesat e vëzhguesve të huaj paraqiten në KQZ jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve.
...