Rritja ekonomike do të ndikojë në uljen e varfërisë
Rritja ekonomike, investimet, por edhe politikat fiskale të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, ndikuan në uljen e ndjeshme të nivelit të varfërisë në vendin tonë gjatë katër viteve të fundit. Sipas statistikave zyrtare, gjatë tre viteve të fundit rreth 400 000 persona, nga 575 000 që ishin në vitin 2005, janë larguar nga niveli i varfërisë. Gjatë tre viteve të fundit, sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Financave, rritja ekonomike ka qënë mesatarisht mbi 6 për qind në vit dhe të ardhurat për frymë në vitin 2008 arritën në 4 102 dollarë amerikanë, nga 2 342 dollarë që ishin katër vjet më parë. Ekspertë të financave publike shpjegojnë se rritja ekonomike gjatë këtyre viteve ka qënë cilësore dhe prej saj kanë përfituar të gjithë shtresat e shoqërisë. Sipas tyre, treguesit e nivelit të varfërisë kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm. Kështu, në vitin 2008 niveli i varfërisë së popullsisë ishte vetëm 12.4 për qind nga 18.5 për qind që ishte në vitin 2005 dhe 25.4 për qind në vitin 2002. Një faktor tjetër pozitiv, që lidhet edhe me efektet e politikës fiskale, sipas ekspertëve, është fakti që reduktimi më i madh i varfërisë ka qënë në zonat rurale. Ata theksojnë se rritja e investimeve në infrastrukturë dhe rritja e pensioneve pa dyshim kanë qënë nga faktorët kryesorë në këtë zhvillim.
...