MMPAU: Ligji për gjuetinë do të plotësojë kuadrin ligjor për mbrojtjen dhe menaxhimin e faunës së egër

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave po punon për hartimin e ligjit për gjuetinë, pas miratimit të ligjit për mbrojtjen e faunës së egër vitin e kaluar, me qëllim mbrojtjen e plotë të saj. Fauna e egër në Shqipëri është pasuri kombëtare dhe si e tillë administrohet dhe mbrohet me ligj, në përputhje edhe me konventat përkatëse ndërkombëtare, ku vendi ynë është palë. Përafrimi i legjislacionit mjedisor edhe në këtë drejtim është një ndër kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me BE-në. "Objektivat kryesorë të këtij ligji lidhen me përdorimin e qëndrueshëm të faunës së egër në Shqipëri, ruajtjen e biordiversitetit, por dhe mbrojtjen e llojeve të rrezikuara dhe të kërcënuara, në nivel kombëtar dhe global", tha drejtori i Politikave të Mbrojtjes së Natyrës në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Saimir Hoxha. Sipas tij, "shndërrimi i gjuetisë në një aktivitet me qëllim jo ekonomik, por shlodhës dhe argëtues, është një ndër objektivat e këtij ligji të ri, që po përgatitet nga ekspertët e mjedisit". Z. Hoxha shton se "ligji do të përshtasë më së miri aktivitetin e gjuetisë me zhvillimet më të fundit të ndodhura në mjedisin shqiptar, me ndryshimin e situatës së pronësisë mbi pyjet dhe kullotat, me zhvillimet në sipërfaqet e zonave të mbrojtura, si dhe të përshtasë zhvillimet më të fundit në aspektin ndërkombëtar në përditësimin e listës së llojeve të mbrojtura. Ligji do të qartësojë dhe marrëdhënien midis gjuetisë, si aktivitet, dhe shoqatave dhe grupimeve të ndryshme që operojnë në këtë fushë", pohon drejtori i Politikave të Mbrojtjes së Natyrës në MMPAU. Ai shton se "ligji mbështetet në parimet e Kartës së Gjuetisë të Bashkimit Europian, ku gjuetia e rregullt dhe e qëndrueshme konsiderohet si një konservuese e biodiversitetit". Për përgatitjen e këtij ligji, ekspertët po marrin parasysh përvojën e vendeve të anëtarësuara rishtazi në Bashkimin Europian, të atyre me eksperiencë të gjatë në këtë fushë, direktivat europiane në fushën e biodiversitetit dhe të natyrës, si dhe bazuar në konventat ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon. Qëllimi i ligjit "Për mbrojtjen e faunës së egër", është ruajtja e llojeve, popullatave, habitateve ku ata jetojnë, rrugëve të shtegtimit, si dhe për të siguruar kërkesat e tyre për ushqim, strehim dhe shumim. Më parë, mbrojtja e faunës së egër mbështetej në disa dispozita ligjore, të fokusuara në veprimtarinë e gjuetisë dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tyre, duke trajtuar një numër të kufizuar elementësh që lidhen me mbrojtjen e faunës së egër.
...