KQZ, shqyrton ankimimet e partive për zgjedhjet
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është mbledhur sërish sot për të vijuar me shqyrtimin e ankesave të partive politike.
Ankesa e parë ishte nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve, që ka kërkuar që zgjedhjet të shpallen të pavlefshme nisur nga fleta e papërshtatshme e votimit. KQZ-ja e hodhi poshtë këtë kërkesë, pasi forma si ishte prezantuar ajo, ishte e papranueshme.
KQZ-ja ka dëgjuar sot edhe ankimimin e kandidatit të pavarur Dritan Prifti për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjithë qarkun e Fierit.
Në ankesën e tij kandidati Prifti vë në dukje se nga ana e KZAZ-ve nuk janë lejuar vëzhguesit e ankuesit, si kandidat i mbështetur nga zgjedhësit për të hyrë dhe për të qënë prezent në ambientet e Vendeve të Numërimit të Votave për të monitoruar procesin e numërimit, duke shkelur kështu kodin zgjedhor.
Kandidati i pavarur në qarkun e Fierit, Dritan Prifti u tërhoq nga procesi i numërimit të votave të 23 qershorit, me pretendimin se PS dhe LSI i kanë vjedhur 50% të votave. Në një prononcim për mediat, Prifti sqaroi se atij i janë vjedhur rreth 10 mijë vota.