KQZ shqyrton sot kërkesën e PD-së për numërimin e 403 votave të kontestuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrton sot në orën 09:30 të mëngjesit kërkesën ankimore të Partisë Demokratike, për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara, të hedhura në një numër të konsideruar kutish gjatë procesit të votimit në Tiranë, më 8 maj. Sipas përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike pranë Komisuionit Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, votat e kontestuara, për të cilat Partia Demokratike kërkon që të rivlerësohen dhe rinumërohen në Tiranë, ndodhen të gjitha në kutitë e kandidatëve për kryetarin e Bashkisë. Dy ditë pas dorëzimit të kërkesës së PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bëhen të ditura detaje nga ajo çfarë kanë shënuar komisionerët në librin e protokollit të mbledhjeve, shënime të cilat janë përdorur si prova nga demokratët. Në dokumentin e dërguar në KQZ, në krah të numrit të votave të kontestuara për secilën qendër votimi, është shënuar edhe faqja e librit të protokollit të mbledhjeve ku ndodhen shënimet, të cilat do të vlerësohen në mbledhjet e KQZ-së. Nga 26 qendra për të cilat kërkohet të hapen kutitë, vetëm një pjesë e tyre kanë shënime specifike për fletët e kontestuara. Kështu, mësohet se një pjesë e fletëve të votimit të kontestuara, pavarësisht se në favor të kujt kanë shkuar, janë vlerësuar si të tilla për shkak se kryqi ose plusi përbri emrit të kandidatit ka dalë pak jashtë kuadratit të përcaktuar. Një tjetër rast i evidentuar në librin e protokollit të mbledhjeve nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve është kur në kuadratin përbri emrit të kandidatit, në vend që të shënoheshin dy shenjat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, është shënuara fjala “po”. Bëhet gjithashtu e ditur se ka pasur raste për fletë votimi të kontestuara ku nuk janë shënuar shenjat x ose +, por një vizë në të gjithë kuadratin. Nga 403 fletë votimi që kërkojnë demokratët të rivlerësohen dhe rinumërohen, 2 prej tyre janë në Njësinë Bashkiake Nr. 3, 73 fletë votimi në Njësinë Bashkiake Nr. 5, 190 fletë në Njësinë Nr. 8 dhe 138 fletë në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Në kërkesën e PD-së thuhet se, “aktualisht ne vlerësojmë se në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik procesit zgjedhor në Tiranë, që edhe këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidatët e Bashkisë së Tiranës të merren, këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe të reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës”. “Kjo mundësi është tërësisht ligjore, e mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe në jurisprudencën e zhvilluar nga ana e Kolegjit Zgjedhor, si dhe unifikon në mënyrë të njëtrajtshme me vlerësimin e votave në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor”- thuhet në kërkesën ankimore të Partisë Demokratike depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Për ankimimin në fjalë, Partia Demokratike i referohet edhe një vendimi të Kolegjit Zgjedhor të vitit 2009, që flet për votat e caktuara. Në bazë të vendimit të atëhershëm të Kolegjit, në procesin e vlerësimit të votave, është kategoria e votave të kontestuara ajo për të cilën subjektet zgjedhore mund të paraqesin pretendime para autoritetit më të lartë administrativ në rrugë hierarkike (KQZ), dhe më tej përpara gjykatës.
Katër kërkesat, që i përkasin dy Partisë Socialiste, një Partisë Demokratike dhe një Partisë Popullore të Pensionistëve, sipas KQZ-së kanë të njëjtin subjekt: kundërshtimin e tabelës përmbledhëse dhe kundërshtimin e rezultatit për bashkinë e Tiranës, ndaj u ra dakord që ato të shqyrtohen së bashku. PD, në ankimimin e saj, dorëzuar dy ditë më parë, i kërkon KQZ-së të rivlerësojë dhe rinumërojë votat e kontestuara, të hedhura në një numër kutish gjatë procesit të votimit në Tiranës, më 8 maj. Ndërsa kërkesa e PS-së ankimon tabelën e rezultatit për Tiranën si dhe tabelën e rezultatit për KZAZ nr. 49. njësia 5.