E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, sot miratohen dhomat e fshehta të votimeve

Në projektvendimin e siguruar dje nga “Gazeta Shqiptare”, arsyetohet se rivënia e tyre në përdorim bëhet për shkak pasi këto dhoma të fshehta prej kartoni kanë rezultuar të përshtatshme dhe tepër të sigurta 

TIRANE-Dhomat e fshehta të votimit që u përdorën në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2007, do të rivihen sërish në përdorim në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009. Ky është një nga vendimet që pritet të marrë sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e tij të radhës. Në projektvendimin e siguruar dje nga “Gazeta Shqiptare”, arsyetohet se rivënia e tyre në përdorim bëhet për shkak pasi këto dhoma të fshehta prej kartoni kanë rezultuar të përshtatshme dhe tepër të sigurta. Dhoma e fshehtë, e përdorur në zgjedhjet vendore 2007, është e përbërë nga dy pjesë kryesore prej kartoni. Pjesa mbështetëse me përmasa 105 cm lartësi, 54 cm x 40 cm, përmasa suprinë dhe pjesa e fshehtë. Sipas relacionit të projektvendimit, “këto përmasa i sigurojnë votuesit një votim komod dhe të sigurt. Modeli i kësaj dhome të fshehtë është përdorur dhe përdoret në shumë vende dhe ka rezultuar si një nga modelet më të përshtatshme për kryerjen e procesit të votimit”. Gjithashtu në kuadrin e plotësimit të standardeve, KQZ pritet të vendosë sot edhe për përdorimin e një tipi dhome të fshehtë, të posaçme për persona me aftësi të kufizuara, me përmasa 80 cm lartësi dhe 60 cm x 50 cm suprinë, plus pjesën e fshehtë, e cila ndihmon shumë këtë pjesë të shoqërisë në përmbushjen e të drejtës për të votuar.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›