“KQZ të përjashtohet nga ankimimet”

Reforma zgjedhore, flasin ekspertët
Miratimi konsensual i komisionit për reformën zgjedhore ka vënë në lëvizje njohësit e ligjit elektoral, lidhur me angazhimet që presin klasën politike dhe produktin final, në funksion të një procesi gjithëpërfshirës. Sipas ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata 3 janë elementët nga ku, ky komision duhet të nisë punën. “Administrimi i procesit përmes futjes së nëpunësit zgjedhor. Pra, nëpunësi shtetëror i cili mban përgjegjësi individuale, direkt për çdo shkelje dhe në kontrollin e vëzhguesve të partive. Sistemi i kontrollit të listave, përmes angazhimit të organit që kontrollon dhe organit që harton listat. Ne nuk e kemi një të tillë. Dhe së treti, një sistem post-zgjedhor, ose ankimor duke e ndarë në 6-të kolegje zgjedhore, dhe duke përjashtuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga procesi ankimor”, u shpreh Gjata. Nisur nga pretendimet e partive të vogla, për një korrektim të sistemit aktual zgjedhor të sanksionuar në Kushtetutë, pas ndryshimeve të pranverës së 2008-ës, njohësi i ligjit elektoral shprehet kundër. “Ne u morëm me atë që është quajtur si sistemi spanjoll. Në BE është Spanja dhe zhvillon zgjedhje të lira dhe të rregullta, pa asnjë shqetësim, me të njëjtin sistem që kemi edhe ne. Po ne pse nuk zhvillojmë zgjedhje të lira, kur kemi të njëjtin sistem? Pra, problemi nuk është te sistemi. Po të marrim sistemin “Shqipëria një zonë”, një fletë votimi në të gjithë Shqipërinë, nga Vermoshi në Konispol dhe kush merr më shumë vota, fiton. Çfarë t’i bësh atij që do të lejojë votimin familjar, votimin me më shumë se 1 herë, votimin pa dokumente identiteti, atij që do numërojë votat në mënyrë jo të rregullt, jo të ligjshme, etj.,”, tha ai. Për Gjatën, komisioni i reformës zgjedhore, përpara se të bëjë amendimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, duhet të konsultohet me grupet e ekspertëve dhe përfaqësuesit e OJF-ve. “Të përfshijë dhe të konsultohet me shoqërinë civile, OJF apo Asosacione që merren me zgjedhjet, për të dhënë mendim dhe për t’i marrë parasysh mendimet e tyre. Të përfshijë teknicienët, sidomos teknicienët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sepse ata e kanë në kurriz, ata e dinë se ku çalon dhe ku dhemb procesi. Së dyti, për çdo institut zgjedhor, dispozitë, fenomen zgjedhor si dhe problematikë duhet ta hedhë në publik për debat”, tha më tej, Gjata. Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, ndërsa e cilëson arritje politike ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, thotë se palët duhet të kenë vullnet për një proces gjithëpërfshirës, në mënyrë që më pas të mos ndërhyhet në Kodin Elektoral, për të bërë operacionin politik të radhës.
...