Rama refuzon shpalljen e programit, paraqet nëpër rrethe Kurbanin personal
Turi i ri bashkëbisedues i kryetarit të PS-së ka qenë zhgënjyes për anëtarësinë e kësaj partie. Edhe pse premtoi se do e paraqesë programin e ri në të gjithë vendin, Edi Rama po flet kudo veç për Kurbanin e tij, duke u përbetuar se ata që ia kritikojnë, ia kanë me të keq. Në Fier e në Durrës, socialistët janë detyruar me zor të blejnë librin e kryetarit, si dhe të duartrokasin në kronika televizive të parapaguara
“Në ditët në vazhdim Rama do ta prezantojë librin edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”.
Kjo është fraza përmbyllëse e njoftimit që ishte publikuar në faqen zyrtare të internetit të PS-së, pas vizitës së kryetarit të kësaj partie në Durrës.
Një frazë e tillë të lë përshtypjen se Edi Rama tashmë ka filluar turin e radhës
të bashkëbisedimit për programin e ri të PS-së “qytet më qytet e fshat më fshat”, të paralajmëruar nga vetë kryesocialisti në tribunën e kongresit më të fundit të 5 nëntorit.
Por, ndryshe nga qëllimi i paralajmëruar i këtij turi të ri bashkëbisedimi, sipas të cilit pritej të ndodhte prezantimi i programit të ri “për të ripërtërirë besimin”, nga ajo që ndodhi dy net më parë në Durrës dhe nga ajo që ndodhi tre net më parë në Fier, po kuptohet se promovimi i librit “Kurban” të Edi Ramës, po bën kurban programin e ri të PS-së.
I mësuar shpesh për të sajuar e programe virtuale për partinë, të cilat ka arritur ti fusë edhe në kuti këpucësh (sikurse bëri me programin virtual të para zgjedhjeve të vitit 2009 që ia rrasi në dorë Rexhep Meidanit, të futur në një kuti këpucësh), po aq shpesh Edi Rama harron ekzistencën e një programi të tillë të mundshëm, duke ju rikthyer pas çdo herë të sjellurit pa program.
Me këtë ai thjesht dhe vetëm ka dëshmuar dhe rikonfirmuar se programi i një partie është gjëja më e pa nevojshme.
Ndaj, për të mbajtur “premtimin” që ju bëri “kongresmenëve” në kongresin e 5 nëntorit, për ti takuar “qytet më qytet e fshat më fshat”, nuk është çudi, që në përfundim të turit bashkëbisedues të radhës, Edi Rama të kërruset mbi skrivaninë e tij dhe të ngrihet prej andej me librin e radhës, “Kurban 2”.
Deri atëherë ai ka gjithë kohën e domosdoshme në dispozicion të zbulojë ndonjë tjetër Dhimo Kote dhe të na bëjë të habiturin, pse Shqipëria tjetër të cilën ai pretendon se, “mund të bëhet dhe do të bëhet”, është aty, ka qenë aty dhe se ajo “po bëhet”, pavarësisht se Edi Rama tani po ia ndjen lezetin për ta zbuluar...
Duket, pse Edi Rama ka kuptuar këtë dalje jashtë mode të programit të tij “të ri”, ka zgjedhur që këtë turin e ri të bashkëbisedimit ta përdorë, jo aq për të zbuluar se “Shqipëria po bëhet”, se sa për të siguruar ca metarial më shuam për librin në pritje “Kurban 2”.
Pse, me 3 mijë euro do të vazhdojë të rri ai ende në llogaritë e tij bankare...?!
Për deri sa shitja e “Kurban 1”, është një mundësi e mirë për të bërë ca pare më shumë, pse të mos e shfrytëzojë këtë tur edhe për ti shitur librin e tij anëtarësisë së PS-së, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kanë për ta lexuar ndonjë herë.