KQZ teston votimin elektronik në Vorë, Elbasan dhe Kamëz, Celibashi: Vota 100% e sigurtë, rezultati del brenda 30 minutave

KQZ po teston këtë të enjte (4 maj) votimin dhe numërimin elektronik në Bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për media, u shpreh se pajisjet ofrojnë garanci të plotë për fshehtësinë e votës.
E kundërta, për kreun e KQZ, nuk është tjetër, veçse spekulativë politike.
“Sot kemi radhën e pajisjeve të votimit dhe numërimi elektronik. Nesër do të bëhet testimi i pajisjeve të identifikimit elektronik. Këto pajisje ofrojnë garanci të plotë në lidhje me fshehtësinë e votës. Nuk ka asnjë lloj mundësie që dikush të verifikojë votën e dhënë nga një zgjedhës, për një subjekt të caktuar. Jam këtu për të konfirmuar se garancia është e plotë 100% dhe kushdo që thotë të kundërtën është një spekulant politik. Askush nuk ka mundësi që të verifikojë se për kë është votuar në mënyrë kategorike”, tha Celibashi, teksa shprehu dhe synimin e KQZ për këtë votim elektronik, që sipas tij do bëjë të mundur shpalljen e rezultateve paraprake për 30 minuta.
“Ne synojmë që brenda 30 minutave nga momenti që mbyllet procesi i votimit të kemi shpalljen rezultateve paraprake për Vorën, Kamzën dhe Elbasanin. Është një projekt pilot, por besoj se të gjitha procedurat do të kërkojnë një kohë që nga momenti kur mbyllet procesi i votimit”, shtoi Celibashi.
/rtsh.al/