KQZ vazhdon regjistrimin e partive për në zgjedhje
Plot 36 subjekte zgjedhore u regjistruan dje pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke fituar të drejtën për të garuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Komisioni Qendror miratoi dje pasdite udhëzimin për regjistrimin e partive politike, duke shënuar hapin e parë të zyrtarizimit të garës zgjedhore. Pas regjistrimit të partive politike, pritet regjistrimi i koalicioneve zgjedhore, proces që ka ende dhe dy javë kohë afat për t‘u kryer plotësisht. Hapi i tretë është regjistrimi i kandidatëve për deputetë jo më vonë se 40 ditë nga data e zgjedhjeve, siç e parashikon Kodi Zgjedhor. Ashtu si në rastet e kaluara, shumë prej partive politike shfrytëzuan afatin e fundit, ditën e djeshme për t‘u regjistruar si subjekt garues pranë Komisionit Qendror. Deri në orët e pasdites, 4 parti parlamentare kanë rikonfirmuar prezencën e tyre në garë, ndërsa pjesa tjetër e listës përbëhet nga parti joparlamentare dhe shumica prej tyre të panjohura për elektoratin shqiptar. Regjistrimi vazhdoi deri në mesnatën e mbrëmshme, kur dhe skadoi zyrtarisht afati ligjor. Pas regjistrimit të partive, KQZ-ja duhet të bëjë shpërndarjen e fondit që përfitojnë sipas kodit zgjedhor. Sasia e fondeve publike që do t‘u shpërndahen subjekteve zgjedhore caktohet me vendim të Kuvendit së bashku me buxhetin e zgjedhjeve, sipas nenit 86 të këtij Kodi. 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumemërore për çdo zonë zgjedhore. Shuma shpërndahet mbi bazën e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet për Kuvendin.