E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat e deputetëve, kontroll publik CV-ve të tyre

Lëvizja "Mjaft!" do të nisë shumë shpejt një fushatë, e cila synon që deputetët e ardhshëm të Kuvendit të kenë integritet moral. Drejtuesit e saj, të mbështetur nga ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ambasada amerikane, gjermane, holandeze dhe ajo angleze shpallën koalicionin "Për një parlament të pastër", një nismë e cila synon që deputetët e Kuvendit të ardhshëm të jenë të pastër politikisht, të mos rezultojnë të kenë çështje penale etj. Nisma do të kontrollojë CV-të e deputetëve aktualë, por edhe të kandidatëve për deputetë. Koalicioni do të tentojë të hyjë në negociata me krerët e partive politike për t‘u kërkuar që të mos lejojnë kandidimin e këtyre personave. Nëse ndodh që kryetarët të refuzojnë të bashkëpunojnë, atëherë koalicioni merr përsipër të publikojë të gjitha të dhënat e papranueshme që disponon për kandidatët në fjalë. Vetëm kryetarët e partive politike nuk do të përfshihen në këtë proces verifikimi, pasi koalicioni duhet të hyjë në negociata me ta për listën e kandidatëve. Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, kërkoi nga partitë politike që të kenë kujdes në përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, mandati duhet të fitohet dhe jo të vidhet. Njëkohësisht, ish-presidenti foli për procesion zgjedhor, duke u shprehur se ato mbeten një provë e rëndësishme që këtë herë duhet të kalohen me sukses. Ai bëri thirrje që nisma të mbështetet nga të gjithë aktorët e shoqërisë civile, si edhe nga media. Ndërsa zëvendësambasadorja e OSBE-së në vendin tonë, Renata Harmens, u shpreh se duhet të tregohet kujdes me standardet. Organizatorët e kësaj nisme deklaruan se ka një eksperiencë të suksesshme të kësaj ideje në Rumani në vitin 2004. Rezultat ishte që 50% e kandidatëve u tërhoqën, pasi iu publikuan "të palarat", ndërsa pjesa tjetër doli me rezultate të dobëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›