E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamët, Moisiu: Berisha u tregua servil

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, deklaroi dje se shteti shqiptar, në rastin e heshtjes për çështjen çame gjatë takimit Berisha-Karamanlis, ka gjetur një zgjidhje oportuniste, me qëllime elektorale. Në një intervistë për "Shqip", Moisiu mendon se pala shqiptare vijon të ndjekë politika servilizmi ndaj qeverisë greke, duke e çuar në servilizëm ekstrem.

Zoti Moisiu, si e komentoni shmangien haptazi të çështjes çame nga ana e shtetit shqiptar gjatë vizitës së Kryeministrit grek Kostas Karamanlis në Shqipëri?

Shoh një oportunizëm dhe këtu nuk bëhet fjalë që ne të marrim Çamërinë, këtu bëhet fjalë për të drejtat e çamëve. Pasuria e tyre është pasuri dhe nuk mund të tjetërsohet nga askush. Kjo është një drejtë e çdo njeriu, qoftë ky çam, grek, shqiptar, apo serb. Pra kjo është një zgjidhje oportuniste, një zgjidhje elektorale, që bëhet tani para elektoratit shqiptar për të fituar pikë, për të bërë një Parlament ashtu siç e do politika.

Pra, sipas jush, shteti shqiptar po bën politikën e servilizmit ndaj qeverisë greke?

Absolutisht servilizëm dhe servilizëm ekstrem.

Si e shihni ecurinë e procesit të kartave të identitetit? Po për çmimin e ri dhe qëndrimin e opozitës?

Çështja e kartave fatkeqësisht po kthehet në një problem në mënyrë që partitë politike ta përdorin si alibi. Është për të ardhur keq që ne në vazhdimësi na del në skenë verifikimi i zgjedhësve. Sepse në këtë pikë politika shqiptare ka spekuluar në manipulimin e zgjedhësve dhe kjo duhej të kishte marrë fund. E kam thënë edhe herë të tjera, që në 2004-ën kur jam kthyer nga Moldavia. Atje ekzistonte një institut që merrej me hartimin e dokumentacionit verifikues për pasaportë dhe për dokumente të tjera. Moldavia është vendi më i varfër në Evropë dhe që atëherë i kam thënë Kryeministrit Nano që të dërgonte ministrin e pushtetit vendor për të marrë eksperiencën, e cila ishte vërtet e vlefshme. Por nuk e vuri ujin në zjarr. Po ashtu edhe me Berishën e kam biseduar në 2005-ën, i cili m‘u përgjigj se do ta bëjmë këtë punë, por nuk bëri gjë fare. Tani nuk kuptohet qartë, sepse ka të dhëna kontradiktore se kur do arrijmë ne shqiptarët të kemi kartat e identitetit. Këtu po spekulohet.

Të ndalemi pak këtu. Ekziston eksperienca e zgjedhjeve të 2007-ës, ku ju organizuat një tryezë me krerët e partive politike. Element kyç i atyre zgjedhjeve ishin certifikatat, ndërsa sot janë kartat e identitetit. Si e shihni sjelljen e partive politike, a është një alibi për të justifikuar rezultatin?

Logjika këtu të çon. Edhe opozita ka përgjegjësitë e saja, sepse shqetësimin duhet ta kishte ngritur qysh në fillim, që kur ranë dakord për Kodin Zgjedhor. Që atëherë duhej vënë me të madhe që të fillonte shpërndarja e kartave. Edhe tani, duke gjykuar nga informacioni i medias, del se në disa vende nuk janë hapur pikat e aplikimit... jo do i çojmë me autobus apo me mikrobus. Çfarë rëndësie ka kjo. E rëndësishme është që këtu ka një qëndrim jo korrekt, ka një qëndrim të tillë që të bën të dyshosh.

Nëse nuk arrihet konsensusi mes partive, mendoni së po shkojmë drejt dështimit të zgjedhjeve?

Dështimi i zgjedhjeve është dështim për politikën shqiptare dhe një goditje e madhe, aq më shumë kur ne synojmë integrimin në Bashkimin Evropian. Nuk do ta dëshiroja..

Në këtë pikë ku jemi, a duhet të ndërhyjë Presidenti?

Kam një parim: nuk pranoj të jap këshilla dhe secili e di vetë ku i pikon shtëpia.

Qeveria

"Mediat shpifën

për Karamanlisin"

Këshilli i Ministrave njoftoi dje zyrtarisht se mediat e kontrolluara nga lideri i opozitës dhe nën diktatin e tij kanë shpifur dhe trilluar lidhur me vizitën e Kryeministrit të Greqisë Kostas Karamanlis. "Sikur gjoja Kryeministri Berisha nuk paska diskutuar problemin e pronave të çamëve", thuhet në njoftimin zyrtar. Po sipas tij, Kryeministri Berisha në këtë takim dhe në çdo takim me zyrtarët më të lartë të Greqisë, e ka diskutuar këtë çështje në përputhje të plotë me përcaktimet e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Greqisë e Shqipërisë. Gjithsesi, zyra e shtypit pranë Kryeministrit nuk gjen kohë të sqarojë konkretisht se çfarë është biseduar mes dy kryeministrave në rast se paska pasur bisedime të tilla!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›