Tritol banesës së emigrantit, shpëtojnë pa u lënduar tre gra
LEZHË- Një sasi e konsiderueshme eksploziv është vendosur në një banesë në fshatit Barbullojë të rrethit të Lezhës. Sipas familjarëve ku ka ndodhur shpërthimi, ka qenë ora 3:20 minuta e mëngjesit, kur ka shpërthyer lënda plasëse e cila ka rezultuar që ishte vendosur në afërsi të derës anësorë të kuzhinës së banesës së Gjovalin Frrokut. Sipas burimeve të informacionit, në shtëpi ka qenë nëna e tij 90-vjeçare, si dhe dy nuset e djemve të tjerë që shkonin të flinin me të moshurën, pasi i biri sëbashku me fëmijët dhe bashkëshorten kishin një javë që kishin ikur në Greqi. Pas shpërthimit, Policia e Lezhës ka marrë njoftimin rreth 40 minuta më vonë e ka mbërritur në banesën e Gjovalin Frrokut. Menjëherë policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka këqyrur edhe vendin e shpërthimit, ku ka konstatuar dëmet materiale që janë shënuar. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, me përjashtim të dëmeve psikologjike të njerëzve që ndodheshin brenda në banesë në momentin e shpërthimit. Policia bëri të ditur se lënda plasëse ishte vendosur në afërsi të derës anësore të aneksit të kuzhinës, në pjesën verilindore, nga persona ende të paidentifikuar. Lënda eksplozive, e llojit akoma të papërcaktuar, ka shpërthyer duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nuk ka dëme në njerëz, madje as të lënduar. Ndërsa muret e banesës kanë pësuar të çara. Sipas familjarëve, “Gjovalin Frroku ka një javë që është larguar për në Greqi, pasi ka dhjetë vite që punon si emigrant në shtetin helen. Ndërkohë që kishte një muaj e gjysmë që kishte ardhur në Shqipëri, ku një muaj më parë i kishin vjedhur edhe makinën e tij, të cilën e kishte lënë në oborrin e shtëpisë. Një javë më parë sëbashku me dy fëmijët dhe bashkëshorten ai ishte larguar për në Greqi. Familjarët shprehen se nuk kanë pasur asnjë grindje apo probleme që mund të dyshojnë tek ndonjë autor i mundshëm që mund të ketë kryer këtë veprim. Policia ka nisur kërkimet për zbulimin e autorëve të këtij krimi, arrestimin e zbardhjen e plotë të ngjarjes.