KQZ, vendos sot për kutitë e votimit
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pritet të vendosë sot për hapjen dhe djegien e kutive të votimit si dhe materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
KQZ e arsyeton djegien e fletëve të votimit me nevojën urgjente për të boshatisur kutitë e materialeve të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit ndërkohë që brenda një afati prej 60 ditësh pas marrjes së këtij vendimi, do të bëhet dhe hapja e kutive të votimit.
Në relacion gjithashtu shkruhet se duke qenë se, afatet për ankimimet për këto zgjedhje kanë përfunduar, duhet të realizohet hapja e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, si dhe seleksionimi i dokumentacionit dhe materialit zgjedhor të gjetur brenda tyre, si detyrim ligjor, në përputhje me përcaktimet e nenit 178 të Kodit Zgjedhor.
Ndërkohë Presidenti i Republikës ka caktuar datën 8 Maj 2011 për zhvillimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore dhe në mbështje të këtij dekreti, Institucionit të KQZ-së i lind detyrimi i përgatitjes së projektbuxhetit dhe infrastruktuës për realizimin e këtyre zgjedhjeve.
Më pas materialet zgjedhore do t`i kalojnë Arkivit Qëndror të Shtetit. KQZ ka theksuar më herët se kanë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme të mbajtjes së këtyre materialeve, dhe se duhet të bëhet vlerësimi i gjendjes së kutive, për të vendosur nëse do të jetë e nevojshme sasi shtesë e tyre. Gjithashtu nga Komisioni Qëndror Zgjedhor do të kërkohet dhe marrja e një fondi shtesë për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale.