KQZ, vijon numërimi i fletëve të kontestuara
Ndërkohë që jashtë godinës së KQZ-së vazhdon protesta, brenda institucionit vazhdon numërimi i fletëve të cilat kanë hedhur në kutitë e gabuara.
Në kutinë me numër 1793 është gjetur një fletë e pavlefshme për kandidatin e “aleancës për qytetarin” Lulzim Basha ndërsa në kutinë me numër 17 96 është gjetur një fletë votimi e vlefshme për kandidatin demokrat.
Gjithashtu në këtë kuti janë gjetur edhe 2 fletë votimi për kryetar minibashkie, dhe një fletë për këshillin e bashkisë.
Ndërkohë ditën e djeshme KQZ-ja nisi procesin e numërimit të votave të kontestuara proces që zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.
Gjatë ditës së djeshme, KQZ-ja hapi 20 kuti në të cilat u gjetën 60 vota për kryetarin e Bashkisë së Tiranës ku pas numërimit rezultoi se 46 vota shkuan për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe 14 për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.
Nga ana tjetër Partia Socialiste ka paralajmëruar se do të nisë një valë protestash të cilat pritet që të zhvillohen në kryeqytet para zyrave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe në qytete të tjera të vendit.