E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT e Tiranës miraton 70 leje ndërtimi

Dje, paradite, Bashkia e Tiranës ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit për kryeqytetin. E duket se kjo ka qenë një e diel e mbarë për leje-kërkuesit e ndërtimeve të reja në kryeqytet, sidomos për objektet publike.

Anëtarët e KRRT-së së Tiranës kanë miratuar dje 70 leje ndërtimi dhe sheshesh në total, për ngritjen e objekteve të reja, si dhe për finalizimin e disa prej projekteve bashkiake për punë publike në Tiranë.

Kështu, bëhet e ditur se 24 objekte do të jenë për interesa publike në kuadër të investimeve që janë parashikuar të kryhen nga ana e pushtetit vendor në Tiranë.

Ndërsa 46 të tjera mësohet se kanë qenë leje për sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi të kërkuara nga subjekte dhe investitorë privatë.

Anëtarët e KRRT-së së kryeqytetit kanë miratuar dje disa projekte për rehabilitimin e pesë blloqeve të reja të banimit, që do të kryhen gjatë vitit 2009.

Po kështu, u dha “ok” edhe për tre projekte për krijimin e hapësirave publike, si lulishte dhe sheshe, në kuadër të njërës prej nismave bashkiake.

Por, një ndër vendimet më të rëndësishme të marra nga mbledhja e djeshme e KRRT-së, vlerësohet se është faza e parë e projektit për rivitalizimin e parkut të liqenit.

Kjo do të pasohet më tej edhe  me ndërhyrjen në ndërtimin e dy objekteve kulturore rinore. Është parashikuar edhe krijimi i një qendre komunitare polifunksionale si kinema “Dajti”, por edhe kinemaja apo qendra rinore në Laprakë.

Në rendin e ditës së punimeve të KRRT-së kanë qenë edhe disa përmirësime të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, si dhe të rrjetit të telefonisë në Tiranë. Po dje kanë marrë miratimin edhe disa projekte të rikualifikimit urban. Njëri prej tyre është ai që prek zonat që shtrihen në të tre segmentet e sapondërtuar të Unazës, nga Zogu i Zi te Brryli.    

Bllokimi i lejeve të ndërtimit për pallate të reja ka qenë një ndër problemet më të mëdha, me të cilat është përballur kryeqyteti gjatë këtyre viteve të fundit.

Ndërkohë që kjo ka qenë edhe një ndër akuzat kryesore, përballë të cilave është vendosur Bashkia e Tiranës.

Shkak i këtij bllokimi, sipas drejtuesve të qeverisë lokale, ka qenë mungesa e një studimi urbanistik të plotë të kryeqytetit, mbi bazë të të cilit të mund të operonin edhe ndërtuesit privatë, në kuadër të një zhvillimi të orientuar të metropolit në rritje e sipër për nga numri i popullsisë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›