PS këmbëngul për hapjen e kutive. Protesta e radhës, në Shkodër
Protesta e radhës e socialistëve do të jetë në Shkodër. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare e partisë më të madhe në opozitë tha se deri kur të hapen kutitë e votimit, protesta do të vazhdojë në të gjithë vendin. “Manipulimi dhe deformimi i vullnetit të shumicës elektorale pa dyshim që bën përgjegjës Sali Berishën. Ai ka abuzuar me bashkëpunimin me opozitën dhe sigurisht vazhdon të ketë një shurdhëri absolute edhe ndaj sugjerimeve të Komisionit Evropian për të rivendosur dialogun politik, i cili në asnjë rast nuk mund të vendoset në rast se Sali Berisha nuk merr seriozisht kërkesat e opozitës për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve. PS do të vazhdojë përshkallëzimin e protestave të saj”, - tha Dade. Paralelisht me socialistët kanë bojkotuar Kuvendin dhe zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit.