Gardisti i dehur plagos dy persona
Ushtaraku zbraz koburen pa ndonje motiv te caktuar
TIRANË - Veprimet e kryera nën efektin e konsumimit të tepërt të alkoolit, do t’i kushtojë burgun një punonjësi garde. E kjo jo për një vepër penale, por për tri të tilla: “kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik”, “prishje të qetësisë publike”, si dhe të “plagosjes së lehtë nga pakujdesia”. 26-vjeçari Maringlen Kondi, me detyrë specialist në Gardën e Republikës së Shqipërisë, është vënë nën pranga dje, pasi në gjendje të dehur ka qëlluar me pistoletën e punës, tip “TT”, Artan Ramën dhe Aleksandër Veshkën, dy klientë të lokalit në të cilin ia kishte “shtruar” me të pirë. Burime zyrtare pranë policisë së Tiranës bëjnë të ditur se Kondi, lindur në Skrapar dhe banues në Allias, ka qenë duke pirë në një lokal, afër Shkollës së Bashkuar. Në gjendje të dehur, ai ka nisur të grindet me dy të dëmtuarit, fillimisht me fjalë e pastaj, i papërgjegjshëm për sjelljet e tij, ka nxjerrë armën e punës që mbante me vete dhe ua ka drejtuar Ramës e Veshkës. Fatmirësisht, plumbat nuk kanë kapur asnjërin prej tyre në organet jetike dhe ata janë plagosur lehtë, e pasi janë transportuar për në spital, ku u është dhënë edhe ndihma e parë mjekësore, janë jashtë rrezikut për jetën. Por edhe nga plumbat që ka qëlluar, gardistit nuk i ka dalë pija. Gjatë rrugës për në komisariat ai ka fyer dhe ka kundërshtuar efektivat e policisë së Komisariatit Nr. 4, duke i shtuar kështu vetes edhe veprën tjetër penale: atë të kundërshtimit të forcave të policisë. Ndërkohë që pistoleta me të cilën qëlloi, iu sekuestrua në cilësinë e provave materiale. Kondi të japë përgjigje përpara drejtësisë për plot tri vepra penale. E.Elezi