E Diel, 1 Nëntor 2026

Për hir të Ilirit s

Një nga sekretarët e PS, Blendi Klosi e injoron lëvizjen e Ilir Metës dhe thotë se PS ka mjaftueshëm resurse për të mos u cenuar nga ajo

Partia Socialiste fajësoi tërësisht ish-kryeministrin e saj, Ilir Meta, se me papërgjegjshmëri për të njëjtin post të lartë qeveritar, po dëmton interesat e së majtës në opozitë që prej 3 korrikut të 2005-ës, kur Lëvizja Socialiste për Integrim që ai udhëheq, mori një pjesë të rëndësishme të votave. Shkak i mosmarrëveshjeve të thella është sistemi zgjedhor. LSI-ja dhe Meta thonë se PS-ja dhe PD-ja po punojnë mbrapa krahëve të aleatëve dhe se Edi Rama e Sali Berisha po gjejnë pikëpjekje të madhe mes tyre. Forca më e madhe politike në opozitë thotë se e vërteta e prishjes së marrëdhënieve mes saj dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ardhur vetëm prej lakmisë së madhe të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për t’u bërë kryeministri i qeverisë së ardhshme, kur opozita të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Sekretari organizativ i socialistëve, Blendi Kosi, deklaroi se partia që udhëheq Edi Rama që prej fundjavës së parë të tetorit të 2005-ës, e sheh me shumë shqetësim kërkesën e vazhdueshme të lidershipit të LSI-së, për t’u imponuar si kryeministri i së majtës. “Partia Socialiste po sheh me shqetësim kërkesën e vazhdueshme të lidershipit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, për t’u pozicionuar si kryeministër i së ardhmes i së majtës, duke u kapur për këtë pozicion pas politikave të vjetra dhe pas Fatimesë së Ndroqit”, ka deklaruar zyrtari i lartë socialist. Kështu, ish-disa herë ministri në qeverisjet e kryeministrit të asokohshëm, Fatos Nano, Klosi nuk ka hezituar aspak t’i kundërvihet LSI-së dhe drejtuesit të saj. Prej ditësh, zyrtarë të lartë të Lëvizjes Socialiste, në mënyrë të veçantë kryetari i saj, Meta, kanë akuzuar PS-në për pazare me Partinë Demokratike për përcaktimin e sistemit zgjedhor, ku synohet eliminimi i partive të ashtuquajtura të vogla. Meta, nga ana e tij, ka përjashtuar pak ditë më parë mundësinë që divorci me PS-në të jetë krijuar nga debate për postin e kryeministrit. Sipas tij, ambicia e gjithsecilit për postin e kryeministrit është absurde të diskutohet para rezultatit të procesit zgjedhor. Këtë çështje, siç u shpreh Meta, e kanë në dorë zgjedhësit. Megjithatë, zyrtarë të lartë të LSI-së kanë përmendur disa herë faktin se kreu i ardhshëm i qeverisë së majtë duhet të jetë Ilir Meta. Por, pasi ka duruar disa ditë duke dëgjuar sulmet dhe akuzat nga ana e LSI-së, socialistët mbajtën këtë deklaratë. Sekretari organizativ i PS-së ka theksuar se partia e tij vëren me shqetësim, që në kërkesën për potin e kryeministrit nuk ka asnjë argument, por vetëm kërkesa personale. Kësisoj, Klosi i ka bërë thirrje lidershipit të LSI-së të rikthehet në familjen e përbashkët në kampin opozitar. Sipas tij, opozita vetëm duke bashkuar të gjitha forcat e saj, do të mund të arrijë fitoren në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare. Kësisoj, duke pasur këtë qëllim, sipas Klosit, PS-ja kërkon që LSI-ja të shmangë totalisht kërkesën për postin kryeministror. “Të gjithë së bashku të kemi mundësinë fitoren e vitit 2009. Kërkojmë që të heqë dorë nga këto praktika, të cilat po bëjnë të shqetësuar jo vetëm të gjithë të majtët në Shqipëri, por dhe shumë njerëz të cilët po trokasin përditë në dyert tona të zhgënjyer nga politikat personale të Ilir Metës”, ka deklaruar Blendi Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›